E Diel, 1 Nëntor 2026

Anulohet evenimenti Salloni i Librit Italo-Shqiptar

Në kuadër të Ditës Botërore të Librit, është anuluar panairi i librit Italo-Shqiptar. Nen moton “Dy popuj, një det, një miqësi”, do të vije në Tiranë shkrimtari italian, Raffaele Nigro

Izaura Ndoj
Duket se problemet e kohëve të fundit, të shkaktuara nga reja vullkanike e Islandës kanë paralizuar veç të tjerash edhe aktivitetet kulturore në Tiranë. Kështu, nga aktivitetet e shumta që janë planifikuar për t`u zhvilluar me rastin e 23 Prillit, Ditës Botërore të Librit, për arsye të bllokimit të fluturimeve panairi i librit që do të vendosej dje para Galerisë së Arteve, për të bërë inagurimine hapjes së këtij organizimi është anuluar. Bëhet fjalë konkretisht, për Sallonin e librit Italo-Shqiptar, aktivitet i cili do të zhvillohej në datat 22-25 prill. Njoftimi i anulimit bëhet i ditur nga ambasada italiane, e cila “njofton me keqardhje se për shkak të vazhdimit të situatës së vështirë të trafikut ajror dhe transportit në përgjithësi, si rezultat i resë së hirit vullkanik, veprimtaria e mëposhtme që do të organizohesh në Tiranë në bashkëpunim me qytetin e Torinos është anuluar”. Gjithashtu, ambasada njofton se në kuadër të partneritetit mes qytetit të Torinos dhe atij të Tiranës, ka filluar puna për rivendosjen në kalendar të këtij eventi në gjysmën e dytë të majit. Ky panair i vogël libri do të vendosej para Galerisë së Arteve, i planifikuar të bëhej pasditen djeshme, kohë kur do bëhej inaugurimi i hapjes së saj, dhe do të vazhdonte deri më datë 25 në mbrëmje. Pikërisht në këtë kuadër, vënë edhe në kontekstin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, në Tiranë do të organizohej ky sallon libri (nga data 22 deri në 25 prill) si dhe tryeza të rrumbullakëta me shkrimtarë shqiptarë italofonë dhe italianë të ftuar për këto aktivitete. Veprimtaria bëhej edhe me mbështetjen e Salone del Libro di Torino, si edhe Fakultetit të Historisë e Filologjisë - Departamenti i Letërsisë. Me këtë rast do të vinin në Shqipëri një grup prej 2-3 autorësh italianë, si edhe 2-3 autorë shqiptarë që jetojnë e krijojnë në Itali. Veprimtaritë e përfshira në programin e shumtë të aktiviteteve të organizuara nën moton “Dy popuj, një det, një miqësi”, do të sjellin në Tiranë shkrimtarin italian, Raffaele Nigro, Silvana de Mari, arbëreshin Carmine Abate dhe dy shkrimtarë shqiptarë, si Sokol dhe Valbona Jakova. Ndërkohë që nga zyra e shtypit, në ministrinë e TKRS bëhet e ditur se çdo aktivitet tjetër i planifikuar të realizohet me këtë rast do të zhvillohet sipas kalendarit të bërë publik. Kështu, sot në datën 23 prill, me shkrimtarët shqiptarë që kanë zgjedhur të shkruajnë italisht dhe studiues të letërsisë, do të mbahet një takim i titulluar “Letërsia dhe integrimi 1990-2010; letërsia e emigrantëve italofonë mbush 20 vjeç”, moderuar nga shkrimtarja Diana Çuli, ndërkohë që para se këtij takimi t’i bashkohen në mesditë në Galerinë e Arteve edhe shkrimtarët italianë, ata do të kenë më parë një takim me studentët e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin Filologjik, moderuar nga studiuesja Dhurata Shehri. Si pjesë e këtij komunikimi është parashikuar që dy shkrimtarët shqiptarë, Amik Kasoruho dhe Arben Dedja, të kenë takime me studentët e Shkodrës dhe të Korçës. Vito Stigliani, drejtor i zyrës për bashkëpunimin arsimor pranë Ambasadës Italiane, e quan letërsinë e migrimit një fenomen të ri për vendin e tij. “Krahasuar me lexuesit e vendeve të tjera, si për shembull ata francezë, lexuesit tanë nuk janë mësuar, ashtu siç nuk jemi mësuar me këtë prezencë emigrantësh. Por unë si lexues jam krenar të di se Anilda Ibrahimi apo Kasoruho kanë zgjedhur gjuhën time për të shprehur emocionet e tyre, për të shprehur ndjenjat, për të bërë të njohur botën e tyre, por edhe tonën. Fakti që janë publikuar nga shtëpi botuese të rëndësishme, si ‘Enaudi’, është një përcaktues për suksesin në marrëdhënie me publikun”, shprehet Stigliani. Kjo letërsi migrimi nuk i ka shpëtuar as vëmendjes së studiuesve. Disa e rrokin në kuadër tërësor, disa letërsi me “origjinë shqiptare”. Kjo e fundit është kryesisht e studiuesve arbëreshë, pjesë e disa universiteteve në Itali. Mia Lecomte, e cila do të jetë e pranishme në Tiranë gjatë ditëve të sallonit të librit, është një nga studiueset më të njohura të letërsisë që i është dedikuar këtij fenomeni. “Në kufijtë e vargut” është vepra e saj studimore dedikuar shkrimtarëve të kombësive të ndryshme që kanë zgjedhur italishten për të shkruar. “Këta burra e gra çojnë një limfë të re në vendin ku kanë zgjedhur për të jetuar. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin për të krijuar për brezat e ardhshëm një planet në paqe”, shprehet Vito Stigliani. Këto ditë të librit në Tiranë do të synojnë të përcjellin pikërisht këtë mesazh. Përveç kësaj, do të ketë disa takime mbi letërsinë italiane dhe mbi autorët shqiptarë me banim në vendin fqinj. Tema e këtij aktiviteti do të jetë “Letërsia dhe integrimi”. Takimet do të zhvillohen paraditen e datës sotme, (Dita Ndërkombëtare e Librit) në Departamentin e Letërsisë, ku do jenë të ftuar edhe shkrimtarët italianë, ndërsa një takim tjetër mbi letërsinë shqipe, do të jetë në sallën e Galerisë së Arteve, në të cilin do jenë të pranishëm shkrimtarët shqiptarë. Pasditen e sotme do të zhvillohet edhe një tjetër takim mbi gazetarinë, ç’ka do të shtojë larminë dhe përgjegjësinë e pasqyrimit me sa më objektivitet të këtyre veprimtarive. Po sot, në datën 23 Prill ora 10.00 ne Bibliotekën Kombëtare do e zhvillohet ceremonia e përkujtimit te botuesit Ismail Mal'Osmanit, ne te çilen do te prezantohet botimi "Ismail Mal'Osmani - Njeriu i Librit" nga shkrimtari Spiro Mëhilli si edhe do te përurohet ekspozita retrospektive e botuesit.

23 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›