Anulohet gara në Bahrejn
Gara për Shpërblimin e Madh të Bahrejnit në Formula 1 është anuluar për shkak të trazirave në vend. Gara e cila ishte paraparë të zhvillohej më 13 mars, do të shënonte fillimin e sezonit të ri, por tani është shtyrë në një datë të pacaktuar. Tani, sezoni 2011 do të fillojë në Australi më 27 mars.
“Ne duhet të përqendrohemi në çështjet e interesit kombëtar dhe ta lëmë garën në një datë të mëvonshme”, tha princi Salman bin Hamad Al Khalifa.
“Pas ngjarjeve të javës së kaluar, prioritet i shtetit tonë është tejkalimi i tragjedisë dhe t’i tregojmë botës se Bahrejni është përsëri i bashkuar”, shtoi ai. Gara në Bahrejn ka qenë në kalendarin e Formulës 1 nga viti 2004. Data e re për garë ende nuk është caktuar. “Është mëkat që Bahrejni u desh të tërhiqet nga gara. Ne i urojmë sukses në shërimin e shtetit”, tha shefi i Formulës 1, Bernie Ecclestone.
“Ne presim që të kthehemi në Bahrejn së shpejti”, theksoi ai. Gara ka qenë në dyshim për më tepër se një javë për shkak të protestave të dhunshme, ku demonstruesit kundërqeveritarë kërkojnë ndryshimin e politikave.