I lumtur në Osnabruck
Flamur Kastrati është ambientuar mjaft mirë në Gjermani, respektivisht në klubin e ri Osnabruck. Sulmuesi kosovar të dielën realizoi dy gola për klubin nga Bundesliga 2 në ndeshjen kundër Oberhausenit (3:1).
Kosovari me pasaportë norvegjeze ndihet i lumtur që u huazua në ekipin e ligës së dytë gjermane, për ta vazhduar e karrierën, pasi që te kampioni i Holandës, Twente, nuk po gjente hapësirë.
“Liga e dytë gjermane dhe ekipi Osnabruck janë mundësitë ideale për mua, sepse do të bëj përvojë në këtë nivel garash. Menjëherë e kam gjetur rehatinë, pasi kjo ligë nuk është larg për nga cilësia nga kampionati holandez. Jam përshtatur në futbollin gjerman, sepse ka diçka ndërmjet stilit anglez, të cilin e njoh nga Norvegjia, dhe nga shkolla e futbollit holandez”, u shpreh 19 vjeçari.
Kastrati, i lindur në Oslo por me prindër kosovarë, luan me ekipin U21 të Norvegjisë. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të luajë për përfaqësuesen e Kosovës.
“Absolutisht ka mundësi. Mirëpo, Kosova nuk është përfshirë ende në FIFA e UEFA. Kam pasur thirrje nga përfaqësuesja e Kosovës. Nuk do të ketë kurrfarë problemi për mua, ai është vendi i origjinës sime”, shtoi Kastrati.
Ai kujton se hapat e parë të futbollit i ka marrë si katërvjeçar, kur luante në lagjen e tij në Oslo. Ai përmend edhe babanë e tij, i cili ka luajtur si profesionist në ish Jugosllavi, si shtytës dhe përkrahës në karrierën e tij.
19 vjeçari e pranon se po zbavitet në Osnabruck, ndërsa nuk harroi t’i përmendë tifozët, të cilët i falënderon për mbështetjen që i japin ekipit dhe atij personalisht. Kastrati, i cili është huazuar nga Twente për gjashtë muaj, zotohet se do të mundohet ta ndihmojë Osnabruckun që të ketë një kampionat të qetë në Bundesliga 2.