Reali kërkon hakmarrje
Jose Mourinho kishte përfunduar pritjen e Chelseas prej gjysmë shekulli për një titull në Angli, solli triumfin evropian në Inter pas 45 viteve, ndërsa tani do të luftojë rekordin pozitiv të Olympique Lyonit përballë Real Madridit.
Nëse ekziston një njeri për të luftuar mallkimin, ai është trajneri portugez. Lyoni ka mposhtur Realin në shtëpi tri herë (2005/06 dhe 2006/07), përfshirë edicionin e kaluar kur e eliminoi në rrethin e dytë të garës.
Për tejkalimin e ekipit të Claude Puelit dhe pengesën psikologjike të kalimit në çerekfinale nuk mund të konsiderohet arritje e madhe për Mourinhon, i cili është mësuar të luftojë për tituj dhe përsëriti optimizmin e tij nën drejtimin e nëntë herë kampionit të Evropës.
“Janë dy pengesa që duhen kaluar: kalimi në çerekfinale dhe fitorja ndaj Lyonit, që na ka eliminuar herën e kaluar. Por, mua askush nuk më mban të zgjuar, Lyoni e askush tjetër”, tha Mourinho pas fitores 2-0 ndaj Levantes në shtëpi të shtunën, ku ai pushoi disa prej futbollistëve nga formacioni bazë.
“Nata në të cilën nuk fle mirë është ajo pas ndeshjes. Prej kur jemi tërhequr përballë Lyonit, ne i kemi përcjellë ata. (Këshilltari i Realit Zinedine) Zidane i njeh mirë ata dhe më ka dhënë informacione”, theksoi Mourinho para ndeshjes së parë në Stade Gerland.
Lyoni, përveç statistikave në favor të vet, përballë Realit do të dalë edhe me përkrahje nga forma e përmirësuar në Ligue 1, e konfirmuar me fitoren 4-0 ndaj Nancy në vikend.
Në përballjen tjetër që zhvillohet të martën mbrëma, Chelsea është mysafir i Copenhagenit. Skuadra londineze u eliminua nga FA Cup të shtunën, pas humbjes në penallti nga Evertoni, dhe Liga e Kampionëve paraqet të vetmen mundësi për të mbyllur sezonin me një titull të fituar.
Mirëpo, Copenhagen nuk është kundërshtar i lehtë dhe në vitet e fundit është shfaqur si skuadër mjaft stabile. Ajo ishte e pamposhtur në shtëpi në ndeshjet e Grupit D këtë sezon, duke ndalur Barcelonën në barazim 1-1, ndërsa disa sezone më parë arriti të fitojë përballë Manchester Unitedit. Menaxheri i Chelseas, Carlo Ancelotti, është nën presion t’i sjellë ekipit trofeun e parë të Ligës së Kampionëve.
Faza eliminatore:
Copenhagen-Chelsea20:45
Lyon-Real Madrid20:45