Perëndimi mund Lindjen

Ylli i Los Angeles Lakers, Kobe Bryant barazoi rekordin duke fituar çmimin e tij të katërt të basketbollistit më të vlefshëm (MVP) në NBA All-Star Game, derisa udhëhoqi Konferencën Perëndimore drejt fitores ndaj Konferencës Lindore me rezultat 148-143.
Bryant elektrizoi tifozët në Staples Center me një seri të ngulitjeve, derisa udhëhoqi të gjithë basketbollistët me 37 pikë dhe 14 kërcime. “Desha të vij dhe të luaj fort për të shfaqur një show të mirë”, tha Bryant i cili iu bashkua Bob Pettit si i vetmi basketbollist që fitoi katër çmime MVP në All-Star Game. “Ndihem shumë mirë në shtëpinë time këtu dhe të luaj para tifozëve të mi”, shtoi ai.
Bryant realizoi 10 nga 18 tentimet nga loja, përfshirë një ngulitje mbi yllin e Miami Heat, LeBron James në çerekun e tretë. Me çmimin MVP të Bryantit u pajtuan edhe të tjerët. “Të gjithë deshën që ai të merr çmimin”, tha Dwayne Wade nga Miami Heat, MVP i sezonit të kaluar. “Ai ishte mjaft agresiv, madje tepër agresiv për një ndeshje All-Star”.
Ndërsa Kevin Durant theksoi: “Ai e meritoi. 37 me 14 janë shifra të pabesueshme. Doja që ai të shkonte në 40 pikë, por duket se u lodh paksa nga fundi”.
Perëndimi udhëhoqi për pothuajse gjithë takimin, duke shfrytëzuar lojën e ngathtë të Lindjes me 18 topa të vjedhur, përfshirë pesë nga Chris Paul (10 pikë, shtatë asistime) nga New Orleans Hornets.
LeBron James shënoi dyshifror të trefishtë me 29 pikë, 12 kërcime dhe 10 asistime, duke udhëhequr Lindjen që u afrua në vetëm dy pikë, 72 sekonda para përfundimit të takimit në përfundimin dramatik të takimit të karakterizuar nga ngulitjet e shpeshta dhe lëvizjet mashtruese.
Kontribut të madh për Lindjen dha edhe qendra e New York Knicks, Amare Stoudemire, i cili shënoi 29 pikë. Qendra e Los Angeles Lakers, Pau Gasol realizoi 17 pikë dhe gëzoi tifozët vendas, kur i krijoi Perëndimit katër pikë epërsi me më pak se një minutë para përfundimit.
Realizuesi më i mirë i këtij sezoni në NBA, Kevin Durant nga Oklahoma City Thunder shënoi 34 pikë dhe siguroi fitoren e Perëndimit, duke qëlluar dy gjuajtje të lira pesë sekonda para fundit.
Formacioni titullar i Perëndimit ishte: Paul, Bryant, Anthony, Durant e Duncan, ndërsa ai i Lindjes Rose, Wade, James, Stoudemire dhe Howard.
Në mbrëmjen spektakolare, në kohën e pushimit dhanë shfaqje edhe yjet më të mëdhenj të muzikës amerikane, midis të cilëve Rihanna dhe Beyonce.