Gattuso dënohet për katër ndeshje

Mesfushori i Milanit, Gennaro Gattuso është dënuar me katër ndeshje moslojë në garat e klubeve evropiane nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s, pas incidenteve që ndodhën të martën e kaluar në ndeshjen e parë të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve kundër Tottenham Hotspur në Itali.
Pas seancës dëgjimore të hënën u konstatua se, pas ndeshjes, Gattuso kishte sulmuar ndihmës-trajnerin e Tottenhamit, Joe Jordan. Ata ishin kacafytur edhe gjatë pjesës së parë të takimit, mirëpo incidenti eskaloi në përfundim të takimit, kur Gattuso kishte goditur me kokë Jordanin.
Gattuso, i cili ishte ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 76-të të humbjes 1-0 të skuadrës së tij në San Siro, ishte i suspenduar për ndeshjen e kthimit kundër Tottenhamit, për shkak të tre kartonëve të verdhë.
Dënimi prej katër ndeshjeve moslojë vlen për katër ndeshjet e ardhshme në gara të klubeve evropiane, për të cilat ai do të ketë të drejtë loje. Ankesa ndaj dënimit mund të paraqitet brenda tri ditëve pas marrjes së vendimit.