E Hënë, 2 Nëntor 2026

Anulohet identikiti i kokës së prerë

17/05/2005  Dekompozimi i plotë i kafkës e ka bërë të pamundur përpilimin ekzakt të pamjes dhe mund të ngatërrohet

Dekompozimi i thellë i kokës së prerë të një femre, që u gjet në Sukth të Durrësit, ka bërë thuajse të pamundur përpilimin e një identikiti të përafërt me atë të viktimës. Fillimisht, pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore, një grup specialistësh kryen një identikit të përafërt të viktimës, por ai nuk solli ndonjë rezultat për identifikimin e saj. Për këtë shkak është vendosur anulimi i këtij identikiti. Nisur edhe nga fakti që disa familjarë ngatërruan nënën e tyre me një të moshuar që humbi jetën disa javë më parë, si pasojë e një arresti kardiak në rrugën e Elbasanit në Tiranë. Me qëllim që të mos ketë ndonjë ngaterresë në identifikimin e viktimës për shkak të identikitit, krerët e policisë dhe të prokurorisë që po hetojnë këtë çështje e kanë anlluar shpërndarjen e tij në të gjitha komisariatet e Shqipërisë, ashtu si ishte parashikuar.

Anulimi

Prokuroria e Durrësit dhe policia e kryeqytetit kanë ndaluar shpërndarjen e identikitit në të gjitha komisariatet e vendit. Kjo, pasi në shkallën e dekompozimit që kishte degraduar koka e prerë që u gjet në Sukth të Durrësit, ishte e pamundur krijimi i një identikiti ekzakt dhe të pagabueshëm. Ndonëse u kryen me përpikmëri të gjitha matjet e kafkës, nga ku rezultoi se ajo anonte si e stërzgjatur dhe me nofulla të gjera, aty mungonin të gjitha detajet e mundshme të pamjes fizike. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime të policisë së kryeqytetit, që po e hetojnë këtë çështje. Sipas burimeve, identikiti që u krijua nga disa specialistë ditët e para, nuk do t’u shpërndahet të gjitha komisariateve në vend. Kjo, pasi mendohet se mund të ngatërrohet me ndonjë femër të zhdukur që i përket moshës 30-40 vjeç, por që nuk është në të vërtetë viktima që mbetet ende enigmë prej disa javësh. Burimet pohojnë se mund të ndodhë një ngatërresë e dytë, ashtu si dy javë më parë, me një të moshuar nga Devolli, e cila pësoi arrest kardiak në një rrugë të Tiranës. Pas publikimit të fotos së saj nga policia, në morg u paraqitën disa persona që pretenduan se ajo ishte nëna e tyre. Por dy javë nga varrimi i saj, familjarët e vërtetë nga Devolli kanë pretenduar se ishte nëna e tyre. Gjithashtu, nëna e vërtetë e personave që varrosën të moshuarën nga Devolli, i mori në telefon nga azili ku qëndronte, duke u thënë se ishte gjallë. Për t’iu shmangur një ngatërrese të mundshme, krerët e policisë kanë vendosur të mos e shpërndajnë këtë identikit në komisariate, sqarojnë burimet.

Hetimi

Hetimi i policisë së Durrësit dhe të Tiranës është përqëndruar në disa pista të mundshme lidhur me gjetjen e kokës së prerë në Sukth të qytetit bregdetar. Fillimisht u dyshua për një krim të mundshëm brenda familjes. Gjithashtu u dyshua se mund të ishte koka e Irena Selit, e zhdukur në Portin e Durrësit, më 16 dhjetor të vitit të kaluar. Por nga ekspertiza mjeko-ligjore u konkludua se nuk ishte e Irena Selit, pasi kjo e fundit kishte dhëmbë porcelani të vendosur, ndërsa në kafkën e gjetur të gjithë dhëmbët ishin natyralë. Policia dyshoi gjithashtu se mund të ishte një prostitutë nga ato të deportuara muajt e fundit, që nuk kishte pranuar të kthehej pranë familjes. Por, burime zyrtare të Policisë së Durrësit pohuan disa ditë më parë se kishin identifikuar operativisht personat që mund të kshin ekzekutuar 35-vjeçaren ende enigmë. Burimet e policisë pohuan atëherë se këta persona po mbaheshin nën vëzhgim.

Kufoma kishte ndenjur afro dy muaj në ujë

Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, kufoma e viktimës ende të paidentifikuar kishte ndenjur afro dy muaj në ujë dhe pastaj i ishte prerë koka. Ky fakt u konfirmua edhe nga burime pranë Mjekësisë Ligjore. Kështu, sipas policisë së Durrësit, dyshohet që femra 30 deri në 40 vjeç mund të jetë nga rrethinat e Kavajës dhe vrasësit ta kenë lënë në ujë për dy muaj në lumin e Erzen. Ajo fillimisht mendohet të jetë ekzekutuar me një plumb në kokë. Dhe vetëm kur është nxjerrë nga uji dy muaj më pas i është prerë koka, që u gjet e varrosur në Sukth të Durrësit. Ky mendohet të ketë qenë edhe fakti që koka kishte ende mbetje indesh, të cilat ishin duke u dekompozuar. Gjithashtu, edhe fakti se pas nxjerrjes nga dheu dekompozimi ka avancuar me hapa më të shpejtë, thonë burimet. Ato përfundojnë se janë identifikuar disa persona si të dyshuar për ekzekutimin e femrës dhe se po i survejojnë për të siguruar prova ndaj tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›