E Hënë, 2 Nëntor 2026

KLSH në Prokurori: Punonjës të “Petrol Impeks” vodhën 440 milionë lekë

17/05/2005  Nga inspektimi rezulton se kanë falsifikuar faturat gjatë harkut kohor 2000-2001

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka denoncuar pranë Prokurorisë së Tiranës vjedhjen me anë të falsifikimit të dokumenteve të afro 440 milionë lekë të vjetra nga ana e punonjësve të shoqërisë së distributorëve të karburanteve “Petrol Impex”. Disa ditë më parë, KLSH-ja ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal ndaj disa punonjësve të kësaj shoqërie. Ata akuzohen nga KLSH-ja, se me anë të falsifikimit të faturave kanë vjedhur gjatë periudhës kohore 2000-2001 një sasi karburanti, që arrin shifrën e afro 440 milionë lekëve të vjetra.

Denoncimi

Pas një kontrolli në këtë shoqëri, pjesërisht shtetërore, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje dhe falsifikime të dokumenteve gjatë harkut kohor të viteve 2000-2001. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime zyrtare pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat sqaruan se para disa ditësh është dorëzuar kallëzimi penal nga KLSH-ja. Sipas burimeve, në denoncimin e KLSH-së thuhej se gjatë një inspektimi të dokumentacionit të kësaj shoqërie të distributorëve të karburanteve, ishin vërejtur falsifikime të faturave. Burimet thonë se me anë të falsifikimit të këtyre faturave, ishin shitur në rrugë të jashtëligjshme një sasi e konsiderueshme karburanti që arrinte vlerën e afro 440 milionë lekëve të vjetra në total. Ndërkaq, KLSH-ja ka theksuar në kallëzim se kjo vjedhje rezultonte të ishte kryer gjatë viteve 2000-2001. KLSH-ja nga verifikimet e kryera ka konstatuar edhe personat përgjegjës të kësaj vjedhje, punonjës pranë “Petrol Impex-it”. Sipas KLSH-së, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin falsifikuar faturat e shitjes së karburantit, duke i firmosur ato. Ndërsa fitimi i shitjes së këtij karburanti nuk ka shkuar për llogari të shoqërisë, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik. Ky dëm për pasojë ka kaluar për llogari të shtetit, thonë burimet.

Verifikimi

Burimet e organit të akuzës sqarojnë se ende nuk është vendosur fillimi apo jo i procedimit penal ndaj personave të denoncuar penalisht. Kjo, pasi gjithçka është në fazën e verifikimeve, sqarojnë burimet. Kështu, mësohet se hetues të Prokurorisë së Tiranës kanë filluar të verifikojnë aktet e kallëzimit të KLSH-së dhe ato të vetë shoqërisë. Këto verifikime do të ballafaqohen me njëra-tjetrën dhe pastaj do të vendoset nëse do të fillohet hetimi, thonë burimet. Ato përfundojnë se verifikimi do të shtrihet në një hark kohor më të madh nga ai ku është ushtruar kontrolli i KLSH-së, pasi dyshohet të ketë edhe vjedhje të tjera të këtij lloji.

ARMO denoncoi vjedhjen e 4 mijë litrave

Rreth një muaj e gjysmë më parë, vetë shoqëria shtetërore e distributorëve të naftës “ARMO”, denoncoi në Prokurorinë e Tiranës vjedhjen e afro 4000 litrave karburant. Sipas denoncimit të lirë të kryer nga vetë “ARMO”, persona të panjohur kanë tërhequr karburant në pikat e kësaj shoqërie me anë të faturave të falsifikuara. Sipas burimeve të atëhershme të Prokurorisë, shoqëria shtetërore “ARMO” pretendonte se me anë të tollonave të falsifikuara ishte tërhequr një sasi prej 4 mijë litrash karburant. Personat e paidentifikuar kishin falsifikuar tollonat shtetërore të Prokurorisë së Përgjithshme, Presidencës dhe Kryeministrisë, me të cilat “ARMO” kishte lidhur kontrata për furnizim me karburant.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›