Anzhi cmendet per Sneijder

Anzhi Makhaçkala hyn sërish mes Uesli Sneijder dhe Interit. Edhe pse mesfushori holandez mendon të qëndrojë me zikaltërit, klubi rus po përgatit ofensivën e radhës për të siguruar shërbimet e lojtarit.
Bëhet fjalë për një ofertë të çmendur, me vlerë 40 milionë euro: 25 milionë për Interin dhe 15 milionë euro për futbollistin. Shifrat janë bërë publike nga “Sov Sport”, që gjithsesi nuk jep detaje për kohëzgjatjen e kontratës.
Sneijder nuk është i pashitshëm, përkundrazi prej kohësh Masimo Morati duket se pret vetëm një ofertë të përshtatshme. Ky fakt u konfirmua edhe nga trajneri Stramaçoni pak kohë më parë. Rusia duket një alternativë e mirë për organizatorin, sepse përveç Anzhit, ai kërkohet edhe nga Zeniti i Luçiano Spaletit.
Megjithatë, nuk përjashtohet që e ardhmja e Sneijder të jetë në Dagestan, aty ku luan edhe ish-shoku i tij tek Interi, kamerunasi Samuel Eto. Anzhi ka shfaqur gjithmonë interes për “tulipanin”, por këtë herë, manjati rus, Kerimov, duket se e ka seriozisht.
Anzhi dhe kampionati rus do të ishin të përshtatshëm për dy arsye. Së pari sepse Sneijder do të kishte rrogë faraonike dhe së dyti për të rigjetur formën më të mirë, pas një viti katastrofik, si te Interi ashtu edhe në Kombëtaren holandeze.
Në anën tjetër, klubi zikaltër do ta merrte parasysh një ofertë me vlerë 25 milionë euro, edhe sepse skuadrat italiane po përballen me vështirësi të mëdha financiare dhe kjo mund ti bëjë drejtuesit e Interit të mos qëndrojnë indiferentë.