Al Uasl largon Maradonen

Ka përfunduar zyrtarisht aventura e Diego Armando Maradonës në stolin e Al Uasl. “Pibe de Oro” është shkarkuar nga detyra, edhe pse kishte rreth një vit e gjysmë të mbetur në kontratë. Ish-sulmuesi legjendar i Argjentinës, i cilësuar si një prej lojtarëve më të mirë në histori largohet nga klubi arab ende pa mbushur një vit punë në skuadër. Në fakt, ai kishte marrë drejtimin e stolit më 28 gusht të vitit 2011.
Në një deklaratë të klubit nga Emiratet e Bashkuara Arabe lexohej: “Pas një takimi ndërmjet krerëve të klubit të Al Uasl për të vlerësuar punën e stafit teknik, u vendos që të ndërpritet marrëdhënia me trajnerin Maradona dhe stafin e tij”.
Vendimi erdhi pasi Maradona nuk arriti që ti siguronte skuadrës hopin e shumëpritur cilësor. Ekipi e mbylli kampionatin në vendin e tetë me 10 humbj në 22 ndeshje të luajtura, u eliminua në gjysmëfinalet e Emirates Cup dhe humbi finalen e Kupës së Kampionëve të Gjirit Persik.
Me këtë shkarkim, kur kishe ende edhe një vit e gjysmë kontratë në Dubai, Diego Maradona regjistron zhgënjimin e radhës në karrierën si trajner, pas dorëheqjes nga Tekstil Mandizhu në vitin 1995 dhe nga Rasing Klub i Avelanedas në 1996-ën. Përpara aventurës arabe, ai ishte larguar mes polemikave nga stoli i përfaqësueses argjentinase, pas eliminimit në çerekfinalet e Botërorit 2010.