E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo skandal me tifozen e Barcelones

Zhoze Murinjo bëhet protagonis i skandalit të radhës. Sipas një tifozeje të Barcelonës, trajneri i Realit të Madridit e ka ofenduar rëndë, e madje kërcënuar me jetë, si reagim pas një provokimi në aeroport.
Ngjarja duket se ka ndodhur në datën 4 korrik, gjatë fluturimit nga Majemi në Lisbonë. Ana, e cila sapo ishte martuar me Ksavier, kishte thirrur “Forca Barça”, duke iu drejtuar teknikut portugez të “merengues”.
Për momentin, u duk se gjithçka përfundoi aty për aty, duke qenë se Murinjo kishte zgjedhur të mos replikonte, duke bërë që provokimi të venitej pa një reagim.
Megjithatë, “Special One” nuk e ka harruar ngacmimin dhe sapo pasagjerët zbarkuan në aeroportin e Lisbonës, ai duket se e ka pritur çiftin e sapomartuar, duke iu drejtuar me një seri fyerjesh.
Ana, dha versionin e saj të ngjarjes për gazetën katalane “Sport”. “Sapo mbërritëm në Lisbonë, Murinjo po na priste në aeroport ku ishte me fëmijët e tij dhe dy persona të tjerë”, tregoi vajza. “Mou ndaloi pranë fytyrës sime, duke më sharë dhe kërcënuar”, shtoi tifozja e Barcelonës. Pas ofendimeve me fjalë nga më të rëndat, duket se Murinjo iu drejtua vajzës me fjalët “Po të kishe qenë mashkull do të kisha rrahur dhe vrarë këtu në vend”.
Situata nuk u rëndua vetëm prej ndërhyrjes së personave që shoqëronin Murinjon, ndërsa sipas çiftit të ri, të gjitha frazat dhe kërcënimin, tekniku i Realit i ka thënë në sy të fëmijëve.
Megjtihatë, lajmi duhet ende të konfirmohet, sepse së pari ai është publikuar nga një gazetë që mban anën e Barcelonës dhe së dyti sepse nuk ka prova të tjera për këtë ngjarje, përveç dëshmisë së tifozes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›