Anzhi s’ka të ndalur

Anzhi Makhachkala planifikon të transferojë sulmuesit Carlos Tevez dhe Neymar. Por, jo vetëm këta të dy. Klubi i pasur rus ka synime të mëdha për sezonin e ri. Të gjitha i ka bërë të ditur mbrojtësi Roberto Carlos, i cili aktualisht së bashku me Andrei Gordeyevin janë emëruar si trajnerë të përkohshëm të ekipit, pas shkarkimit të Gadzhi Gadezhievit, muajin e kaluar.
Anzhi, gjatë verës bëri përforcime të konsiderueshme duke sjellë yllin kamerunas Samuel Eto’o nga Inter si dhe mesfushorin rus, Yuri Zhirkov nga Chelsea, por planet për ndërtimin e një skuadre elitare nuk marrin fund me kaq.
Tevez duket i sigurt se do të largohet nga Manchester City, në janar pas refuzimit të inkuadrohet si rezervist në ndeshjen, kundër Bayern Munichut në Ligën e Kampionëve muajin e kaluar.
Pak klube kanë mundësi të plotësojnë kërkesat e tij financiare dhe ato të klubit nga Eastlands, por për Anzhin, paratë nuk paraqesin problem. Një burim i afërt me klubin nga Dagestani i tha të përditshmes ruse Tvoi Den se “kushtet për transferimin e Tevezit janë shumë të mira”.
Edhe Carlos ka folur publikisht për dëshirën e klubit për transferimin e Neymarit nga Santosi si dhe në të ardhmen angazhimin e yjeve të Real Madridit, sulmuesit Cristiano Ronaldo dhe trajnerit Jose Mourinho. Real Madridi dhe Barcelona konsiderohen favorit për transferimin e Neymarit.
Por, ylli i ri brazilian mund të përfundojë edhe në Anzhi, nëse dëshiron të arrin marrëveshje, me cilindo prej këtyre dy gjigantëve spanjoll. “Do të doja të transferoja Cristiano Ronaldon” tha Carlos për Punto Pelota.
“Kam biseduar me Neymarin dhe nëse Reali ose Barcelona dështojnë ta transferojnë, atëherë do ta bëjmë ne. Objektivi është edhe të angazhojmë Mourinhon, por jo vetëm atë. Ne jemi munduar të bisedojmë edhe me trajnerë të ndryshëm të huaj që janë të mirënjohur. Ne duam të bëjmë Anzhin si Real Madridin dhe Barcelonën dhe e them këtë me seriozitet”, u shpreh ai. Carlos tha se Eto’o është i kënaqur në Rusi.
“Ai është i lumtur dhe jo vetëm për shkak të parave, por sepse tifozët tanë e kanë trajtuar shumë mirë”, përfundoi Carlos. Anzhi aktualisht gjendet në pozitën e tetë në Kampionatin rus, pavarësisht se kishte startuar mirë sezonin.