Dobët, shumë dobët

Kombëtarja e Shqipërisë sërish ka zhgënjyer. Kuqezinjtë të premten mbrëma e kanë pësuar humbjen e tretë rresht, pasi në Stade de France u mposhtën nga përfaqësuesja e Francës me rezultat bindës, 3:0 – në kuadër të xhiros së parafundit të kualifikimeve për Kampionatin evropian, ‘Euro 2012’.
Skuadra e Josip Kuzes dobët e nisi këtë sfidë. Reprezentuesit shqiptarë pësuan herët gol, përkatësisht në minutën e 11-të, kur Florent Malouda pa vështirësi ia doli të shënojë për rezultat 1:0.
Edhe pas këtij goli të pësuar, kuqezinjtë vazhduan të luanin dobët, duke mos u bërë presion siç duhet Trekolorëve, të cilët vazhdimisht përpiqeshin ta merrnin lojën nën kontroll. Në këtë mënyrë, Kombëtarja e Francës ia doli ta dyfishojë avantazhin në minutën e 38-të, kur Loic Remy shënoi gol, prej një aksioni që nuk pritej.
Përveç mbrojtësve, as portieri Samir Ujkani nuk e kreu siç duhet detyrën e tij gjatë atij aksioni të francezëve, pasi kosovari pranoi gol nën këmbë.
Në këtë mënyrë, pjesa e parë përfundoi pa e rrezikuar kuqezinjtë asnjëherë portën e gjelave.
Përfaqësuesja shqiptare edhe më dobët luajti në pjesën e dytë, gjatë së cilës francezët dominuan edhe më tepër posedimin e topit.
Megjithatë, vendasit shënuan edhe një herë në minutën e 67-të nëpërmjet Anthony Reveilleres, pasi portieri Ujkani nuk reagoi siç duhet në portën e tij.
Duhet theksuar se në këtë ndeshje për Shqipërinë debutoi mesfushori i Kolnit, Odise Roshi, i cili pati një paraqitje më të dalluar në dallim prej kuqezinjve të tjerë. Po ashtu, edhe sulmuesi kosovar, Ahmed Januzi e barti fanellën kuqezi për herë të parë në një ndeshje zyrtare. Januzi u inkuadrua në lojë në minutën e 74-t në vend të Muzakës.
Grupi D
Bosnja-Luksemburgu 5-0
Rumania-Bjellorusia 2-2
Franca-Shqipëria 3-0
Tabela
Franca 9 20
Bosnja 9 19
Rumania 9 13
Bjellorusia 10 13
Shqipëria 9 8
Luksemburgu 10 4