E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disa pyetje prokurorisë për çështjen Fazlliç

Nga Tema

1.

Kur është krijuar kompania “Crown Acquisitions”? Ku e ka selinë, objektin, ortakët e saj dhe kapitalin?

2.

Sa të ardhura ka realizuar nga data e krijimit të shoqërisë deri më datë 20.06.2007? Sa tatime ka derdhur?

3.

A ka hartuar bilance nga periudha e krijimit deri në periudhën e shitjes, datë 20.06.2007?

4.

A janë audituar pasqyrat financiare të kompanisë?

5.

Më datë 14.5.2007, ka një prokurë për shitblerje të kompanisë, pse është më përpara se data e vendimit të asamblesë për shitje të kompanisë?

6.

Cili është objekti i kontratës se kompanisë: kontratë shitblerje shoqërie apo kontratë shitblerje kuotash? Kjo ka rëndësi, sepse ka ndryshim në konceptin juridik dhe financiar, duke u nisur nga objekti i kontratës:

a- Kontratë shitblerje shoqërie

Në kontratën nr. 3599, datë 20.06.2007, nënshkruar nga Flutura Kola, titulli i kontratës është: Kontratë Shitje-Blerje Shoqërie (do të thotë se kjo shoqëri ka shitur të gjitha të drejtat dhe detyrimet e shoqërisë ose e thënë ndryshe, ka shitur aktivitetin tregtar, pra, shoqëria “Crown Acquisitions”, e ka shitur kompaninë te shoqëria “Altaria” në Qipro, që do të thotë se kjo kompani do t’u nënshtrohet të gjitha procedurave të një operacioni të likuidimit sipas ligjit 7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”.

Hapat që ndërmerr likuidatori pas emërimit të tij:

- Kryerja e formaliteteve të publikimit, siç e përcakton ligji.

- Hartimin e një inventari të elementëve aktivë dhe pasivë që përbëjnë pasurinë e shoqërisë në datën e hapjes së likuidimit, si dhe marrja në dorëzim e librave dhe dokumenteve të shoqërisë. Inventari i pasurisë së shoqërisë shërben për hartimin e një bilanci që do të shërbejë si pikënisja e operacionit të likuidimit.

- Fillon procedurat e ankandit për realizimin e aktivit për shitjen e aktivit material të shoqërisë (qoftë aktiv i paluajtshëm apo i luajtshëm).

- Realizon arkëtimet nga klientët dhe debitorët dhe bën të gjitha likuidimet e detyrimeve.

- Shpërndan tepricën e likuidimit, pasi janë bërë të gjitha likuidimet e kreditorëve të shoqërisë, ortakëve të shoqërisë, sipas përqindjes së pjesëve në kapital.

- Harton pasqyrat financiare (bilancin e likuidimit, pasqyrën fitim-humbje nga operacioni i likuidimit dhe pasqyrën e fluksit të parasë).

- Këto pasqyra auditohen nga eksperti kontabël i autorizuar, që është emëruar nga gjykata dhe jep opinionin e tij përmes një raporti dhe e dërgon në asamblenë e ortakëve së bashku edhe me raportin e likuidatorit për ta miratuar asambleja.

Sipas konceptit financiar, për këtë shitje do të llogariten të gjitha detyrimet tatimore, si TVSH në shumën prej 20 për qind, tatim mbi fitimin (20 për qind që ishte në vitin 2007, në 10 për qind në vitin 2008) dhe tatim mbi dividentin në shumën prej 10 për qind.

b. Kontratë shitje-blerje kuotash

Më poshtë, thuhet Kontratë Shitje-Blerje Kuotash (do të thotë që janë shitur të drejtat, detyrimet e ortakut mbi këtë shoqëri, jo aktiviteti i shoqërisë).

Sipas konceptit financiar, do të paguhet 10 për qind e diferencës midis shitjes dhe blerjes së pjesëve të kapitalit.

Çfarë metode është përdorur për vlerësimin e pjesëve të kapitalit, sepse, kur kërkohet vlerësimi i pjesëve të kapitalit të një shoqërie, ajo përbën objekt të vendimeve që duhen marrë nga organe të ndryshme të shoqërisë, si dhe është fushë e ndërhyrjes së ekspertit kontabël. Në Shqipëri nuk funksionon bursa për vlerësimin (nuk është as shoqëri aksionere), prandaj përllogaritja e vlerës së pjesëve të kapitalit mund të mbështetet te:

- Vlera e mbështetur në të ardhurat (si e ardhur merret dividenti për pjesë të kapitalit, fitimi për aksion). Por këtu lind pyetja: A ka dividentë të pasqyruar në bilance?

- Vlera e rendimentit financiar (i përgjigjet kapitalizimit të dividentit). Lind pyetja: A ka dividentë dhe a i ka kapitalizuar këto dividentë?

- Vlera e produktivitetit (merret si mesatare e fitimeve të disa viteve, pjesëtuar me nr. e pjesëve të kapitalit). Lind pyetja: A ka fitime të deklaruara në bilance?

- Vlerësimet e mbështetura në cash flow (pará të gjeneruara nga veprimtaria e sipërmarrjes). Lind pyetja: A është hartuar kjo pasqyrë cash flow dhe nga vinte burimi i parave?

- Vlerat e mbështetura në pasuritë. (aktivi neto = aktivi–detyrimet si bazë, është bilanci, i cili përmban një vlerësim të pasurisë së shoqërisë)

Jo pa qëllim u ndalëm në këto metoda të vlerësimit të pjesëve të kapitalit (ose aksioneve), sepse të gjitha këto metoda e kanë bazën te bilanci, nga data e krijimit deri në datën e shitjes, nuk ka rëndësi vetëm kontrata e shitje-blerjes së kuotave që është vlerësuar me 1.750.000 euro, por edhe ku janë mbështetur për nxjerrjen e kësaj vlere, kur nuk ka bilance të hartuara.

Është e rëndësishme që të cilësohet që baza e të gjithave është bilanci i kompanisë, se përndryshe do të fillojnë në masë të gjithë trafikantët të praktikojnë procedurat e “Fazlliç”, duke krijuar një kompani me 100.000 lekë kapital, pa asnjë veprimtari ekonomike dhe t’ua shesin mbas dy vjetësh me 1.750.000 euro, kompanive fantazma, të regjistruara në një shtet tjetër.

7.

Si është bërë dalje kjo pará prej 1.750.000 eurosh nga kompania e Qipros, dhe në cilën bankë në Shqipëri është bërë hyrje. Këtë shumë, kompania “Altaria” a e ka të pasqyruar në aktivet financiare (në postin pjesëmarrje) në bilancin e saj, sepse kjo kompani ka blerë aksione te kompania “Crown Acquisitions” dhe kjo e fundit bëhet filiali i kompanisë në Qipro?

8.

Nga kompania është dorëzuar bilanci më datë 08.10.2008, dhe përfshin periudhën nga 1 gushti 2007 deri me 31.12.2007. Pse dhe çfarë përfaqëson ky bilanc? Është një kompani tjetër dhe kjo kompani është e regjistruar me 1 gusht 2007? A është e likuiduar kompania tjetër nga shtatori 2005 deri në korrik 2007?

9.

Pse nuk janë ndryshuar në QKR ortakët e kompanisë sipas kontratës shitje-blerje, vendimit të asamblesë dhe vendimit të gjykatës?

10.

Nuk mund të merret për bazë bilanci i datës 01.08.2007, kur toka është e blerë më 1 gusht 2007. Atëherë, çfarë ka shitur dhe blerë më 20.06.2007?

11.

Sa është blerë kjo tokë te fshatarët dhe me çfarë vlerë është deklaruar në hipotekë?

12.

Në intervistë Fazlliç deklaron se ka rivlerësuar dhe ka asete në shumën prej 178.000.000 lekësh. A quhet rivlerësimi shitje, pasi ai është veprim ekonomik, jo monetar dhe kthehet monetar në momentin e shitjes, kjo shifër pasqyrohet në aktivitetin 01.08.2007 deri 31.12.2007?

13.

Fazlliç deklaron se, kur ta shesë kompaninë, do paguajë taksat. Por si i justifikon 1.750.000 euro? Çfarë ka shitur? Pse këto pará kanë ardhur në kompani?

14.

Cilat janë asetet që ka shitur kompania?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›