E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Si ma dogji shtëpinë banda e Lushnjës"

 

Armand Bajrami

Biznesmeni Shkëlqim Haxhia, dëshmoi me hollësi para trupit gjykues të Krimeve të Rënda, se si banda e Lushnjës i dogji shtëpinë në gusht të vitit 1998. Sulmi i banesës ka ndodhur pas një gjobe prej 3 milionë lekë të reja, të cilën biznesmeni nga Lushnja, nuk e kishte paguar tek anëtarët e bandës. "Zanafilla e djegies së shtëpisë time është një gjobë e papaguar. Erion Cici vinte dhe më kërkonte 30 milionë lekë, jo në emër të tij, por në emër të grupit", tha dëshmitari para pesëshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtarja Marsela Balili. Seanca e djeshme ndaj anëtarëve të Bandës së Lushnjës mori kthesë gjatë dëshmisë dhe precipitoi në një përplasje të fortë mes dëshmitarit të thirrur dhe Rexhep Ginës, i vetmi i pandehur i pranishëm në sallë. Duke shprehur hapur dyshimin, se Gina ishte ekzekutori i djalit të tij, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2005, biznesmeni Haxhia i është drejtuar Ginës duke i thënë: "Nëse je burrë thuaj 'unë e vrava', por ti je frikacak". Ndërsa i dyshuari Rexhep Gina ka pohuar njëkohësisht me tone të ashpra, se i besonte ligjeve e gjykatës dhe se po të ishte një njeri i tillë, do të ishte hakmarrë për nënën e tij të vrarë. Pala mbrojtëse nga ana e saj ka kërkuar dje prishjen e vendimit të marrë në seancën e kaluar për leximin e dëshmive të katër personave të pyetur në ambasadën shqiptare në Greqi. Sipas tyre, mënyra e marrjes së këtyre deklarimeve është e dyshimtë dhe se njëri nga të pyeturit, Gramoz Selmani, akuzohet për 6 vrasje.
Dëshmia e biznesmenit
"Gjatë gjithë ditës kur ndodhi ngjarja kam qenë në dyqanin tim. Pas orës tre kam shkuar në shtëpi dhe nuk kam dalë më. Rreth orës 21:00 të mbrëmjes erdhën këta personat me një furgon të bardhë. Me anë të furgonit ata e thyen portën dhe u futën në oborr. Aty pashë Arben Boriçin, Ilir Stërgun, një djalë trupvogël që i thërrisnin "Shvejk", Agur Musakun dhe Enver Dondollakun. Siç më tha djali më pas, gjatë kohës që këta ishin brenda territorit të banesës, në rrugë ka qenë edhe Aldo Bare dhe Rexhep Gina. Personat që po ngjiteshin për t'u futur në shtëpi ishin të pa maskuar, të armatosur dhe shumica e tyre ishin me rroba ushtarake. Që para se të futeshin në oborr ata thirrën nga jashtë portës "hape portën se do ta thyejmë" dhe duke më pohuar se ishin forca të policisë kriminale. Vetëm kur i kam parë në oborr kuptova se cilët ishin ata. Aguri s'është polic, Erioni s'është polic. Brenda në shtëpi është futur Ilir Stërgu, Jorgo Musaku dhe Erion Cici. Atë natë unë isha në banesë me djalin e madh dhe me bashkëshorten. Djali i vogël kishte ikur me një skuadër futbolli në Greqi. Familja ime qëndronte në katin e dytë të banesës trekatëshe. Kati i parë përdorej si magazinë, në të dytin banonim ne, ndërsa i treti ishte në ndërtim e sipër. Kur pashë këta që erdhën aty me rroba ushtarake, të armatosur duke i njohur që këta nuk janë policë, por njerëz që venë gjoba, vrasin vjedhin thamë të shpëtojmë kokën për momentin. Të gjitha këto unë i pashë nga dritarja e katit të dytë ku isha. Që kur janë futur në oborr ata kanë ndenjur disa minuta deri sa të ngjiteshin në shtëpi. Në këto momente unë dhe djali zbritëm nga një dritare në pjesën e pasme të shtëpisë. Ndërsa djalin u mundova ta ulja sa më shumë, duke e mbajtur nga duart, unë zbrita duke përdorur një çarçaf. Ndërsa bashkëshortja ngeli në shtëpi. Djalin e porosita të largohej dhe të ikte tek shtëpia e një të afërmi, pak banesa më tutje, ndërsa vetë u futa tek shtëpia e fqinjit. Nuk u futa tek banesa e vëllait tim, por tek fqinji tjetër. Hipa tek tarraca e shtëpisë së tij. Në pozicionin ku isha, arrija t'i shquaja të gjitha veprimet e personave që kishin ardhur në shtëpinë time. Pasi kontrolluan për mua nëpër banesë dhe në oborr për rreth 20 minuta, ata i vunë zjarrin shtëpisë. Personat morën bashkëshorten time Serveten dhe njerëz të mitë, vëllain, nusen e vëllait File Haxhian, nipin Karafil Haxhian. Ata i hipën në furgonin me të cilin kishin thyer portën dhe i dërguan në komisariat duke u futur në një rrugë në kundërvajtje. Në momentin që pashë furgonin të largohej, kam parë shtëpinë të digjej. Zjarri dogji pothuajse gjithçka. E vetmja pjese e shtëpisë që i shpëtoi flakëve ka qenë një pjesë e vogël e aneksit. Kam lëvizur nga banesa ku isha rreth orës 04:00 të mëngjesit. Kam ikur që aty i vetëm dhe jam fshehur në një fushë. Me familjarët kam kontaktuar vetëm pas një ditë e gjysmë".

Të akuzuarit e bandës

Arben             Boriçi
Ilir                 Stërgu
Afrim             Hoxha
Erion             (Niko) Cici
Arjan             Aliço
Jorgo (Agur)         Muzaka (Musaku)
Rexhep             Gina

Akuzat
Vrasje me paramendim
Mbajtje pa leje të armëve luftarake
Organizatë kriminale 

Anëtarët e bandës i vranë djalin biznesmenit

TIRANE - Mosmarrë-veshjet me bandën e Lushnjës nuk i kanë kushtuar vetëm djegien e shtëpisë biznesmenit Shkëlqim Haxhiu. Në vitin 2005, sipas Prokurorisë, anëtarët e bandës së Lushnjës i kanë vrarë atij edhe djalin. Në fakt, kjo çështje është ende në hetim, por sipas policisë dhe Prokurorisë, të dyshuarit kryesorë janë anëtarët e bandës së Lushnjës. Ngjarja ka ndodhur më 11 janar 2005. Atë ditë është qëlluar me armë dhe është ekzekutuar shtetasi Klodian Haxhia, djali i Shkëlqimit, të cilit anëtarët e bandës së Lushnjës i kishin vënë gjobë e më pas i kishin djegur shtëpinë në vitin 1998. Sipas hetimeve të Prokurorisë, Klodian Haxhia, pronar i hotel "Myzeqeja" është ekzekutuar nga disa persona, të cilët e qëlluan atë me armë në lagjen "Loni Dhamo" të qytetit të Lushnjës më 11 janar 2005. Nga hetimet e kryera prej Prokurorisë, por edhe në bazë të informacioneve të mbledhura nga policia, shkaku i vrasjes së Klodian Haxhisë, dyshohet se kanë qenë pikërisht mosmarrëveshjet e lindura gjatë kohës së privatizimit të hotelit "Myzeqeja". Sipas hetimeve, mosmarrëveshjet e lindura lidhur me pronësinë e hotel "Myzeqeja" u bënë shkak për vrasjen e djalit të biznesmenit, të cilit anëtarët e bandës së Lushnjës akuzohen se i kanë djegur shtëpinë, pas një gjobe që i dëmtuari nuk e kishte paguar në vitin 1998.        t.s

Kapoja i bandës kërkoi ekstradimin në Itali

TIRANE - Alfred Shkurti, personazh i akuzuar si drejtues i bandës së Lushnjës, ndodhet në Turqi në paraburgim, në pritje të zgjidhjes së çështjes për ekstradimin e tij. Palës turke i janë paraqitur dy kërkesa për transferimin e Aldo Bares, ndërsa autoritetet vendase ende nuk kanë marrë një vendim lidhur me këtë çështje. Sipas burimeve zyrtare, kërkesa e parë është bërë nga Prokuroria shqiptare, e cila kërkon transferimin e të arrestuarit në Tiranë dhe dërgimin e tij para gjykatës për akuzat e ngritura. Ndërsa kërkesa e dytë e paraqitur në Turqi, është bërë nga Prokuroria italiane, e cila e akuzon Aldo Baren si drejtues të një organizate kriminale me rreth 30 anëtarë, të cilët kanë kryer trafikim narkotikësh nga Shqipëria në drejtim të vendit fqinj me anë të mjeteve lundruese përmes detit. Pala turke ende nuk ka dhënë një vendim të saj, por Aldo Bare ka shprehur pëlqimin e tij për t'u gjykuar në Itali.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›