E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apel vendoreve diplomatet Shmangni ndarjet politike

Këshilli i Europës bashkon në një tryezë kryebashkiakët e majtë dhe të djathtë. Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wolfarth dhe ai i BE-së, Ettore Sequi përcollën mesazhe të qarta për 65 kryetarët e bashkive të vendit. Wolfarth kërkoi administrim të shëndosh të financave publike, ndërsa Sequi ftoi bashkiakët të ndërtojnë ura bashkëpunimi. Në takim ishte i pranishëm edhe kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i cili bëri thirrje për bashkëpunim pavarësisht ngjyrave dhe theksoi që bashkitë të jenë promotor të pushtetit lokal.

“Ne po përpiqemi të kthejmë vëmendjen e administratave tona në mënyrë të plotë, thelbësore por dhe të detajuar ndaj qytetarëve, problematikave të tyre dhe interesave të tyre. Ne jemi të bindur, të qartë dhe të vendosur që t’i mbajmë administratat tona sa më larg influencave dhe vorbullave politike dhe jo vetëm kaq, por dhe të krijojmë sinergjinë maksimale me të gjithë faktorët politikë në këshillat tanë dhe më gjerë”, tha Basha.

“Unë ju ftoj të përqafoni plotësisht standardet e përsosmërisë në punën tuaj të përditshme bazuar në parimet e ndershmërisë, transparencës, efikasitetit,përgjegjshmërisë dhe administrimit të shëndoshë të financave publike. Pavarësisht përkatësive politike,përpiquni të punoni së bashku për të lobuar pranë qeverisë qendrore për nisma shtetërore që ndikojnë në komunitetet tuaj”, tha Wolfarth.

“Për të ecur përpara në Europë, duhet forcimi i kapaciteteve lokale. Duhet të përmirësohet shërbimi publik dhe përkëtë duhet të plotësohen dy kushte: transparenca dhe përgjegjësia. Drejtuesit e rinj vendor do t`i inkurajoja të realizojnë reformën e decentralizimit. Ju thoni se “Gurë-gurë bëhet murrë”, dhe unë do të doja që ju të ishit ura”, u shpreh Sequi.

Ky ishte takimi i parë i të zgjedhurve vendor në nivel kryetarë bashkish pas zgjedhjeve të 8 majit. Synimi i këtij evenimenti është ndërtimi i platformës për promovimin dhe mbështetjen e nevojave vendore dhe ndarjen e informacioneve dhe praktikave më të mira.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›