E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna ndaj grave rrihet edhe ato qe merren ne mbrojtje

Rritja e numrit të grave të vrara dhe të dhunuara ditët e fundit ka mbledhur me dhjetra organizata për të drejtat e grave, të cilat kanë kërkuar gjykim të drejtë nga ana e gjyqësorit. Drejtoria e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçaj raporton se në të shumtën  e rasteve jo vetëm, që dhunuesit nuk kanë marrë dënimin e merituar, por ata kanë riushtruar dhunë edhe pasi këto gra kanë qenë nën urdhrat e mbrojtjes.

“Kohët e fundit është vënë re, nuk është e përgjithshme, por gjithësesi edhe gra që kanë qenë me urdhër-mbrojtje nga gjykata kanë pësuar deri edhe dhunën ekstreme. Prandaj, është një fenomen që jo vetëm duhet goditur, por edhe duhet parë me vëmendjen më të madhe”, tha Vjollca Meçaj.

Ndërsa kryetaria e Shoqatës në Dobi të Gruas, Sevim Arbana thekson se cështje të shumë grave të vrara apo zhdukura janë mbyllur nga drejtësia, pa u gjykuar deri në fund dhe për pasojë askush nuk është nën pranga. Mungesa e besimit ka detyruar këto organizata t’i drejtohen gjykatës ndërkombëtare.

“Drejtësia nuk do të funksionojë. Është totalisht e korruptuar dhe totalisht e paaftë. Dhuna tani po hyn në gjithë kapilarët e shoqërisë shqiptare ndonëse kemi vite që i themi grave: “Denonconi dhunën””, tha Arbana.

Gjatë këtij viti numërohen 14 gra të vrara nga familjarët e tyre dhe Aleanca gjinore për zhvillim organizatore e kësaj tryeze ka hartuar një letër, e cila i drejtohet të gjitha institucioneve. Në të theksohet se për t’u zbutur ky fenomen, ligjet dhe strategjitë për të drejtat e njeriut duhet të gjejnë zbatim.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›