E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minoritetet bojkotojne Omonia Censusi me mangesi

Minoritetet bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë. Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit e tyre në vendin tonë, Omonia, aleanca maqedonase, shoqata serbo malazeze, dhe shoqata e vllehëve nga selia e partise Bashkimi për të Drejtat e Njeriut thanë se nuk e njohin procesin e regjistrimit të popullsisë duke argumentuar se ky proces synon reduktimin e minoriteteve në Shqipëri.

"Ne konkludojmë se ky regjistrim nuk ka për qëllim evidentimin real të pjesëtarëve të minoriteteve, por përkundrazi tkurrjen e tyre statistikore artificiale dhe përligjjen në këtë mënyrë të politikave të regjimit komunist në lidhje me to, për rrjedhojë ne deklarojmë që nuk e njohim atë proces dhe as produktin e tij. Ne, përfaqësuesit e minoriteteve etnike dhe ato etno-kulturore i drejtohemi anëtarëve tanë që të mos përfshihen në një census që nuk i shërben zgjidhjes së probleme aktuale, por shtimit dhe komplikimit të mëtejshëm të tyre", tha Vasil Bollano,  kryetar i Omonias.
 
Bollano deklaron se kanë marrë parasysh edhe penalizimin që parashikon mosrregjistrimi sipas ligjit.

"Ne i kemi marrë parasysh të gjitha dhe pikërisht për problemet që kemi renditur, një nga arsyet është ajo, nuk ështe e vetmja, ne pozicionhemi dhe kërkojmë mospjesëmarrjen në këtë census", theksoi Bollano.

Përfaqësuesit e minoriteteve kanë shënuar disa mangësi që sipas tyre përmban censusi, duke renditur të parën atë të tjetërsimit e parimit të vetë regjistrimit. Gjithashtu, pyetësori sipas tyre nuk garanton mundësinë e evidentimit të minoriteteve zyrtarisht të njohura në vendin tonë, nuk është e hartuar edhe në gjuhën e tyre amëtare, dhe nuk janë përfshirë në konsultime teksa është hartuar nga qeveria ligji për regjistrimin e popullsisë.

Rovena Moçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›