E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli heq dënimet për akuzat e grupit “Go West”

 

TIRANE – Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda prishi vendimet e dënimit të dhëna më parë dhe çoi për rigjykim dosjen e të arrestuarve nga operacioni “Go West”. Personat e akuzuar për falsifikim dokumentesh me anë të cilave siguronin dërgimin e personave në vende të ndryshme të globit do të gjykohen edhe njëherë nga Gjykata për Krimet e Rënda me një pesëshe të re gjykuese. Vendimi i shpallur dje nga togat e zeza të Apelit është pritur me duartrokitje dhe me “Rroftë drejtësia” nga mbrojtësit ligjorë të së pandehurve. “Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda më 29 korrik dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Shkallën e Parë me një trup tjetër gjykues”, lexoi vendimin kryesuesi i seancës. Në sallë kanë qenë të pranishëm edhe të pandehurit në gjendje të lirë, për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit. Në korrik të këtij viti Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka dhënë 66 vjet burg dhe 77 milionë lekë gjobë për 9 të pandehurit e kësaj çështjeje. Dënimet e dhëna varijonin nga 5 deri në 10 vjet heqje lirie dhe nga 600 deri në 900 mijë lekë gjobë. Të pandehurit e kësaj çështje janë Nikolin Cako, Avdi Leka, Edmond Bejko, Eljon Canka, Përparim Kateshi, Voltan Turtulli, Selman Murati, Valbona Cako dhe Avdi Leka. Sipas hetimeve paraprake, i pandehuri Nikolin Canko ka qenë pronar i agjencisë së udhëtimeve “Go West”, me vendndodhje te rruga e Durrësit, pranë bllokut të ambasadave në Tiranë. Sipas Prokurorisë, Cako në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë organizonte kalimin e paligjshëm të kufirit të shtetasve të ndryshëm, duke i pajisur me viza, dokumente te falsifikuara, kundrejt pagesës, në varësi të linjave të udhëtimit. Po sipas Prokurorisë, në varësi të linjave të udhëtimit, të pandehurit u merrnin të pandehurve shuma që varijonin nga 10 deri në 16 mijë euro.                       ar.ba

Të akuzuarit

Nikolin Cako
Avdi Leka
Edmond Bejko
Eljona Canka
Perparim Kateshi
Voltan Turtulli
Selman Murati
Avdi Leka
Valbona Cako

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›