Masakra e Qafë-Gjashtës, revoltohen autorët në seancën e parë të gjyqit
TIRANE – Ka nisur me debate mes të pandehurve dhe trupit gjykues seanca e parë e gjyqit, në ngarkim të personave të akuzuar si autorë të masakrës së Qafë-Gjashtës. Në seancën e parë për këtë proces gjyqësor, ditën e djeshme, pesëshja gjykuese e Krimeve të Rënda e kryesuar nga gjyqtari Fran Prendi, gjatë prezantimit të palëve ka hasur në “rezistencën” e të pandehurve të pranishëm në sallë, të cilët kanë pretenduar pafajësi. “Na kanë rrëmbyer dhe na kanë sjellë këtu. Ka drejtësi, apo nuk ka drejtësi? Anulojeni këtë gjyq. I kemi lënë fëmijët rrugëve. Ka shtet, apo nuk ka shtet?”, i është drejtuar gjykatës, Vladimir Sinani, një prej të pandehurve. E njëjtë ka qenë shkalla e nervozizmit edhe për të pandehurin tjetër Nestor Sinani. “Unë nuk e ndjej veten fajtor”, ka pohuar ai përpara gjykatës. Ndërsa pyetjes së gjykatës për mbrojtësin ligjor të zgjedhur prej tij e ka ironizuar duke thënë se “Veten time e mbroj vetë, se jam i pafajshëm. Por sillni një avokat kryesisht sa të marrë një rrogë”. Ndërsa kryesuesi i seancës ka qetësuar situatën, duke u pohuar të pandehurve se deri tani ata janë vetëm të dyshuar për ngjarjen dhe gjykimi do të tregojë pozitën e tyre në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tyre nga Prokuroria. Në kafazin e hekurt të sallës së gjyqit dje ndodheshin vetëm 4 të pandehurit e arrestuar për ngjarjen, ku ka mbetur i vrarë një polic dhe u mor peng dhe u torturua një tjetër. Për personat e tjerë gjykata deklaroi mungesën dhe caktoi avokatë kryesisht, për të mbrojtur interesat e tyre në gjykim. Në vijim, gjykata shtyu seancën për njoftimin e avokatëve. Ngjarja për të cilën akuzohen Vladimir Sinani, Nestor Sinani, Eduart Çipa, Alqi Paguni, Edmond Sejko, Mikel (Flamur) Këndezi, Arben Këndezi, Agron Qurku, Aleksandër (Ale) Bala dhe Ristan Lapa është shënuar në 4 mars të vitit të mbrapshtë 1997. Sipas Prokurorisë, në këtë datë 4 efektivë të policisë së Vlorës Gjergj Mehmeti, Sokol Bizhga, Myzafer Blushi dhe Eduart Aliaj kanë shkuar në Sarandë për të rivënë në funksionim komisariatin e policisë së këtij qyteti. Gjatë kthimit në vendin e quajtur Qafa e Gjashtës ata kanë rënë në një pritë të armatosur. “Gjatë shkëmbimit të zjarrit, punonjësit e policisë Myzafer Blushi dhe Sokol Bizhga kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa punonjësi tjetër i policisë, Eduart Aliaj, është kapur nga personat e armatosur dhe është mbajtur peng e keqtrajtuar për disa ditë në qytetin e Sarandës”, thuhet në kërkesën për gjykim. ar.ba