Apeli, 1 vit burg për kreun e OMONIA-s
Gjykata e Apelit të Korçës ka dënuar me 1 vit burg kreun e OMONIA-s në Korçë, Naum Disho. Pas shqyrtimit të ankimimit pas vendimit të shkallës së parë, Apeli vendosi lënien në fuqi të dënimin të Dishos me akuzën e dhunimit të varreve në Boboshticë. Ndërkohë që për dy punëtorët, Luan Zaçe dhe Alqi Koroveshi, gjykata vendosi lirimin e tyre me kusht.
Prokuroria kërkoi 2 vjet burg për kreun e OMONIA-s dhe nga 6 muaj burgim për dy punëtorët që kryen punimet prej betoni në varrezat e Boboshticës. Sipas organit të akuzës, nga hetimi i kryer ka rezultuar dhunimi i varreve deri në nxjerrje të eshtrave, apo betonizim të këtyre eshtrave.
Sipas gjykatës, këto punime janë kryer me iniciativën dhe sponsorizimin e kreut të OMONIA-s, Naum Disho, pak kohë para se në këto varreza të zhvillohej ceremonia e përvitshme në memorialin e ngritur për nder të një ushtari grek të vrarë në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Disho u dënua me akuzën e dhunimit të varreve për shkak të ndërhyrjes me punime betoni në zgjerim të një platforme prej betoni dhe ngritjen e shkallëve mes për mes varrezave në Boboshticë.