E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli/ Meta: Është koha për veprim

26/03/2009  Lidershipi i LSI-së vijon takimet paraelektorale me bazën

“LSI forcë politike që ka besim tek aftësitë dhe talentet e gjithë shqiptarëve”

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta zhvilloi një takim me 320 anëtarë të rinj në qytetin e Fierit. Ndërkohë pas një mesazhi falënderues për 320 anëtarët e rinj që i janë bashkangjitur LSI-së Meta lëshoi një apel jo vetëm për të pranishmit, por dhe për të gjithë shqiptarë. “Është koha për veprim”, - apeloi Meta, duke vënë e theksin në faktin se një apel i tillë “bashkon gjithnjë e më shumë shqiptarët rreth LSI-së dhe koalicionit tonë dhe që bashkon me ne dhe gjeneratën më të re”. Njëkohësisht kreu i LSI-së nënvizoi se “vendi ka nevojë për punësim, vendi ka nevojë për një drejtim me ambicie të mëdha, por edhe për ata që kanë dhënë prova se mund ta futin Shqipërinë në rrugën e progresit”. Kjo pasi sipas tij të rinjtë kanë nevojë për më tepër mundësi sesa ofrohen sot për të ardhmen e tyre, por dhe sepse shqiptarët kërcënohen në çështjet me jetike, deri tek ekzistenca e tyre, pra duke vënë në rrezik edhe bukën e gojës. “Është koha për veprim, në mënyrë që ndryshimi të jetë i prekshëm, në mënyrë që ndryshimi të jetë vërtet ai që do t’i bëjë shqiptarët jo vetëm të dëgjojnë fjalën ‘ndryshim’ më shumë, por të jetojnë shumë më mirë sesa dje”, - theksoi Meta. Gjithashtu u ndal në vlerat dhe filozofinë e LSI-së. “Kjo është forca politike që ka për të thënë më shumë se kushdo tjetër në zgjedhje e 28 qershorit, edhe për të ardhmen. Është një forcë politike e re, një forcë politike gjithmonë në rritje në të gjithë vendin, është një forcë politike e cila ka një lidership të testuar në drejtimin e vendit, por është një forcë politike e cila ka kualitete të mëdha intelektuale dhe profesionale, por mbi të gjitha është një forcë politike që ka besim tek aftësitë dhe talentet e gjithë shqiptarëve. Por gjithashtu është një forcë politike që ka një program që dëshiron t’i japë mundësi çdo të riu e të reje për të shpalosur këto aftësi dhe këto talente”, - u shpreh Meta. Po kështu Meta u ndal dhe në debatin më të fundit brenda së majtës për një bashkëpunim mes tij dhe Berishës. “LSI-ja asnjëherë nuk ka rënë pre e diversioneve të Sali Berishës për të përçarë opozitën. Ne çdo ditë punojmë në mënyrë të sinqertë dhe pa ekuivok për fitoren e koalicionit që ne përfaqësojmë dhe që ne drejtojmë”, - deklaroi Meta.

Largimi

Vetëm dy ditë më parë LSI-së iu shpërbërë të gjitha strukturat e saj në disa njësi vendore në Durrës. Krerë të këtij formacioni politik lokal kanë nënshkruar braktisjen e LSI-së dhe kalimin në PS. Kryetari LSI-së në Sukth Gjergji Gerço, nënkryetari Murat Guzina, kryetarja e forumit të gruas Ançe Guzina, kryetari në fshatin Kodër Vasil Karaj, kryetari në fshatin Kullë Riza Kadriu, drejtuesi i kësaj partie në Hamallaj Zihni Dushu dhe anëtarë të kryesisë zonale Pajtim Kllari, Kristaq Berati e Nazif Seferkolli nënshkruan dorëheqjen nga kjo parti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›