E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama për vullnetarët: Do të sfumojmë LSI-në

26/03/2009  Kreu socialist mbledh në një darkë pune një përfaqësi vullnetarësh, garanton fitoren e PS-së

“Deri më 28 qershor LSI-ja do ketë vetëm 4 anëtarë: Metën, Monikën, Xhufin dhe Priftin”

Dueli PS-LSI po bëhet gjithmonë e më i fortë. Tashmë, kur po u afrohemi gjithmonë e më shumë zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, po përvijohet çdo ditë e më shumë ndarja mes këtyre dy partive. Madje, së fund Partia Socialiste dukshëm po përpiqet që ti tregojë forcën e saj Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përpos përgatitjeve të saj elektorale dhe implementimit të strategjive të reja në këtë fushë, sikundër ishte dhe ngritja e rrjetit të vullnetarëve të PS-së në të gjithë vendin, lidershipi i kësaj partie ka vënë dhe një tjetër detyrë për të gjithë drejtuesit në rrethe: atë të afrimit të anëtarëve të LSI-së në radhët socialistë. Madje, kreu socialist Edi Rama ka shkuar më tej duke garantuar se deri në zgjedhjet e 28 qershorit Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbetët vetëm me katër anëtarë. Pak ditë më parë kryetari i PS-së ka mbledhur në një darkë pune një përfaqësi të vullnetarëve nga e gjithë Shqipëria në Linzë (Dajt), ku veç të tjera qëllimi ka qenë dhe vendosja e piketave përfundimtare mbi të gjithë punën që duhet të bëjë ky rrjet gjatë kësaj faze ku është futur partie lidhur me fushatën zgjedhore. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se ka qenë vetë kreu socialist ai që ka garantuar jo vetëm fitoren e Partisë Socialiste në këto zgjedhje, por dhe sfumimin e LSI-së. Një garanci e tillë lidhej konkretisht me shqetësimin që vetë këto përfaqësi vullnetarësh ngritën në takim. Kështu, mësohet se gjatë kohës që Rama ka folur për organizimin, vullnetarët kanë ngritur shqetësimin se në shumë rrethe ka probleme, pasi anëtarë të LSI-së futen në radhët e këtij rrjeti, mësojnë skemën e funksionimit e të organizimit të tij dhe i raportojnë ato te partia së cilës i përkasin realisht. Pikërisht përballë këtij shqetësimi Rama ka garantuar se “deri më 28 qershor LSI-ja do ketë vetëm katër anëtarë: Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Pëllumb Xhufin dhe Dritan Priftin”. E në fakt, përgjatë gjithë këtyre ditëve anëtarësia e LSI-së ka pësuar një rrjedhje të konsiderueshme, natyrisht që të larguarit i janë bashkuar Partisë Socialiste. Ndërkohë që “urdhri” i lëshuar pak kohë më parë nga vetë kreu socialist Edi Rama për të gjithë drejtuesit e Partisë Socialiste në rrethe kishte të bënte pikërisht me zgjerimin e radhëve të votuesve për këtë parti. “Të hapni dyert për anëtarët e LSI-së dhe për të gjithë ata që kërkojnë të vijnë te ne e të bëhen pjesë e fitores”. Sipas tij, asnjë përfaqësues socialist nuk duhet t’i shohë me sy armiqësor dhe të mos i gjykojë ata që vendosin t’i bashkohen PS-së për frymën që kanë përcjellë më parë kundër kësaj partie.

Trajnimi i vullnetarëve

Mënyra se si duhen realizuar objektivat që i janë ngarkuar rrjetit të vullnetarëve ngriti nevojën e një prezencë të ekspertëve të huaj për të trajnuar përfaqësuesit e grupeve të vullnetarëve në shkallë vendi. Ky rrjet do të funksionojë e veprojë në bazë të orientimeve që do të japin ekspertët e huaj. Fillimisht qenë koordinatorët e rrjetit të vullnetarëve për Veriun e vendit që u mblodhën në qytetin e Durrësit, ku ekspertë të një kompanie austriake u morën pikërisht me trajnimin e të rinjve. Ndërsa pak ditë më vonë koordinatorët e rrjetit të vullnetarëve për Qarkun e Beratit, të Fierit dhe të Vlorës u mblodhën në qytetin e Fierit për të zhvilluar trajnimin e dytë nga ekspertët holandezë. I gjithë synimi lidhej pikërisht me mënyrën se si rrjeti i vullnetarëve në të gjithë vendin të përçojë mesazhin te zgjedhësit shqiptarë.

Synimi

Me moton “Së bashku do tia dalim” Partia Socialiste zyrtarizoi pak muaj më parë ngritjen dhe funksionimin e rrjetit të vullnetarëve të saj në të gjithë vendin. Synimi për të cilin do të funksionojë një rrjet i tillë është i qartë dhe i mirëpërcaktuar. Të rinjtë vullnetarë do të jenë tepër aktivë gjatë gjithë fushatës, duke qenë të pranishëm në çdo shtëpi, në rrugë në ambiente publike e me radhë, me qëllim që të bindin njerëzit që të votojnë PS-në. Duke ndjekur modelin “Obama”, synohet që dhe PS-ja të ndjekë këtë strategji për të arritur fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen në 28 qershor.

Detyrat

Ndër detyrat kryesore është bërë me dije se çdo vullnetar do të ketë në dorë një formular, i cili përmban pyetje të tilla, si: çfarë mendojnë njerëzit për kreun Rama, për cilën parti do të votojnë, cili është vlerësimi për alternativën që përfaqëson Partia Socialiste apo dhe shumë pyetje të tjera. Përmes plotësimit të këtij formulari lidershipi socialist do të mund të bëjë dhe një sondazh paraprak mbi rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Ndërkohë, duke qenë një eksperiencë e re për vendin tonë, pranë këtij rrjeti do të jetë e pranishme dhe eksperienca e huaj.

Precedenti

Rrjedhja e anëtarësisë nga Partia Socialiste te Lëvizja Socialiste për Integrim dhe e kundërta ishte një precedent që e pati zanafillën në Ndroq, ky kryetarja e kësaj komune së bashku me anëtarët e degës së PS-së iu bashkuan radhëve të LSI-së. Madje, qe vetë kryetari i kësaj partie Ilir Meta ai që dorëzoi teserat për anëtarët e rinj. Por dhe Partia Socialiste nuk vonoi t’i kundërpërgjigjej po me të njëjtën mënyrë LSI-së, madje duke shkrirë jo pak degë të kësaj partie në Jug të vendit. Ishin mosmarrëveshjet mes dy partive në qendër ato që sollën një situatë të tillë dhe për bazën e tyre.

PS vijon kritikat ndaj qeverisë

Dade: Berisha, refuzon të dëgjojë këshillat e Brukselit

Deputetja socialiste Arta Dade shprehu shqetësimin e Partisë Socialiste lidhur me qëndrimin e qeverisë “Berisha ndaj këshillave të faktorit ndërkombëtar. “Sali Berisha gjithnjë ka refuzuar të dëgjojë këshillat e Brukselit. Atij i mbetet shumë pak kohë tani që ta bëjë këtë gjë, aq më pak të përkthejë shqetësimet dhe sinjalet që vijnë nga BE-ja në vepra konkrete. Komisioneri Olli Rehn, por edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Shefer përsëritën nevojën dhe domosdoshmërinë e seriozitetit për plotësimin e kushtit për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për rezultate në luftën kundër korrupsionit”, - vuri në dukje Dade. Njëkohësisht sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në këtë parti deklaroi se “Komisioni Europian kërkon të shohë stabilitet politik të nevojshëm dhe pjekuri demokratike, në mënyrë që Shqipëria të lëvizë drejt hapit tjetër”. Sipas saj, paralajmërimi se këto detyra duhen marrë seriozisht, në mënyrë që aplikimi të mos qëllojë mbrapsht, por të shtrojë rrugën për marrjen e statusit duhet të ftohë pasionet dhe demagogjinë elektorale të Sali Berishës. Për këtë arsye deputetja socialiste i kërkoi sërish kreut të mazhorancës që t’u garantojë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jo zvarritje të procesit për pajisjen e votuesve me kartat e identitetit. “Këtë maxhorancë nuk e shpëtojnë dot nga dështimi i sigurt as bluzat e fëmijëve ‘unë në NATO’, as çjerrjet e dëshpëruara të zotit Berisha për tu mbushur mendjen shqiptarëve për sukseset e qeverisë së tij”, - deklaroi Dade.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›