E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veprimi i parë i Metës

Tiranë- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim z.Ilir Meta ka zhvilluar një sërë takimesh në Qarkun e Beratit, ku ka prezantuar emrat e kandidatëve. Duke falënderuar qytetarët e Beratit, për mbështetjen, Meta bëri apel duke i thënë atyre se tashmë është Koha për Veprim, është koha për të marrë vendime të rëndësishme. Sipas Metës, veprimi i parë është nxjerrja në pension e Sali Berishës, sepse shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të zvarriten në varfëri dhe në probleme të jashtëzakonshme sociale.

“Vetëm duke hapur vende pune, vetëm duke realizuar programe të rëndësishme sikurse është programi ynë për punësimin jetik, që do të garantojë çdo familje që nuk ka asnjë pagë, asnjë garanci financiare, i garanton atyre një vend pune duke çuar një rrogë në familje”-theksoi Meta, duke shtuar se, -është koha për të përballuar një krizë që e ndiejnë të gjithë shqiptarët.

Meta shprehu edhe njëherë tjetër me forcë se është koha për të hequr tatimin mbi fitimin për çdo biznes që do të hapet, në mënyrë që bizneset të ecin përpara dhe jo të falimentojnë pa hedhur hapin e parë. Është koha për të krijuar lehtësira fiskale për çdo vend pune që hapet në bizneset ekzistuese, sepse jemi në një situatë krize ekonomike.

Është koha u shpreh Meta, që shteti duhet të negociojë me bankat për të krijuar mundësira për biznesmenët në mënyrë që ata të mos rrezikojnë falimentimin, jo vetëm për ata por edhe të mos mbyllen vendet e punës për të gjithë punonjësit. Sepse janë më shumë se 75 mijë gra dhe vajza që rrezikojnë të humbasin vendet e punës sot, për shkak se bizneset ku ato punojnë nuk shlyejnë dot taksat e shtetit dhe kreditë që kanë marrë në bankë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›