Apeli: Mjeku urolog në arrest shtëpie
Gjykata e Apelit liron nga qelia mjekun Kastriot Dautaj: Nuk paraqet rrezikshmëri për hetimet
TIRANË- Gjykata e Apelit vendosi të lirojë nga qelia mjekun urolog Kastriot Dautaj, por ta izolojë atë në ambientet e shtëpisë. Sipas arsyetimit të vendimit, qëndrimi i tij në shtëpi me masën “arrest shtëpie” nuk përbën ndonjë rrëzikshmëri për hetimin e mëtejshëm të çështjes. Ndërkohë, prokurori i çështjes, gjatë fjalës së tij kërkoi nga togat e zeza që mos të pranohet kërkesa e mbrojtësit ligjor, duke e cilësuar lirimin e tij një rrezik për hetimin e çështjes, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat e “korrupsionit pasiv”; “shpërdorimit të detyrës” dhe “pastrim të veprës penale”. Togat e zeza të kësaj gjykate, pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, atë të prokurorit të çështjes i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë për masën e sigurisë “arrest me burg” dhe pretendimeve të mbrojtjes për lirimin e tij për shkak se është një personalitet dhe nuk ka rrezikshmëri për çështjen, u vendos që ai të rikthehet në shtëpi me masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Sipas avokatit, i dyshuari Dautaj nuk ka kërkuar lekë apo ndonjë përfitim nga puna që kryente si mjek-urolog dhe paratë që ai disponon në bankë, janë kursime të tij, bashkëshortes dhe punës së fëmijëve që ndodhen në SHBA. Ky pretendim u kundërshtua nga akuza, të cilët e cilësuan doktorin si mjek që për çdo operacion kërkonte rryshfet, pretendim i hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga mbrojtja. Sipas prokurorisë, mjeku Dautaj është arrestuar në flagrancë me 50 mijë lek në xhep, vetëm pak minuta pas “pagesës” së kryer nga shtetasi I.H. për operacionin e të bijës. “Ndaj doktorit janë evidentuar dhe dokumentuar pesë raste, ku ka përfituar shuma të ndryshme parash nga 20 mijë lekë deri në 80 mijë lekë për një operacion”-ka pretenduar prokuroria. Nga verifikimet e llogarisë bankare pas arrestimit të Dautaj, ka rezultuar se në llogarinë e tij dhe të bashkëshortes ndodhen 650 mijë dollarë amerikanë, para që mendohet se i ka fituar nga ryshfeti i pacientëve.