Apeli fal vetëm Mukën, bien kërkesat e Tiranës dhe Tafajt
Vendimet
Komisioni i Apelit në FSHF ka hedhur poshtë kërkesat e klubit Tirana dhe të trajnerit Alban Tafaj, për të zbutur ndëshkimet për dhunën në derbin Tirana-Dinamo, të luajtur më 26 janar. Drejtuesi i stolit bardheblu kishte kërkuar zbutjen e dënimit me një vit përjashtim nga aktiviteti të dhënë nga Disiplina: pamjet filmike konfirmuan se gjatë një rrëmuje në minutat e fundit të takimit, Tafaj ka goditur me grusht sulmuesin e Dinamos, Elis Bakaj. “Pas ankimimit të trajnerit Tafaj, Apeli la në fuqi dënimin e KD-së”, citohej në vendim. Gjithashtu nuk është marrë parasysh as kërkesa e klubit Tirana, për uljen e dënimit me katër ndeshje pa tifozë, që erdhi për mosmarrjen e masave të mjaftueshme të organizimit dhe sigurisë së takimit. Në fakt, pas polemikës Mukaj-Bakaj, të cilat “ndezën” edhe sherrin, në fushë kanë hyrë disa “ultras” bardheblu, të cilët u zmbrapsën nga forcat e rendit. Apeli ka “toleruar” vetëm kapitenin e Tiranës, Devis Mukaj, i cili kishte paraqitur kërkesë për uljen e pezullimit prej tetë javësh. Tashmë, mesfushori bardheblu do të qëndrojë jashtë fushave të lojës vetëm për gjashtë javë (pesë duke llogaritur se nuk luajti gjatë fundjavës së kaluar). Kjo do të thotë se vlonjati do të jetë i gatshëm për kampionët në fuqi në fazën kulmore të edicionit.
#