E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldinjo: Skandali? Thjesht një trillim

Braziliani hedh poshtë akuzat se organizoi një festë përpara derbit, që zgjati tri ditë
Tri ditë “shthurje”, që u mbyllën të shtunën në mëngjes, vetëm pak orë përpara derbit të Madoninës. Lajmi, i publikuar nga “Corriere delle Sera”, i tronditi të gjithë, duke filluar nga të pasionuarit e futbollit e deri tek ata që preferojnë të lexojnë skandalet e personave VIP. Kjo, edhe për faktin se Milani u mposht 2-0 në sfidën përballë kushërinjve rivalë të Interit, ku Ronaldinjo u bë protagonist negativ, duke humbur një penallti. Por, ngjarja bëri mjaft bujë edhe për shifrën që ylli brazilian shpenzoi për të marrë me qira suitën e një prej hoteleve më luksozë në Milano: festa i ka kushtuar mesfushorit plotë 75 mijë euro.
Por, vetëm disa ditë pas publikimit të ngjarjes, ka ardhur edhe reagimi i Ronaldinjos, që ka mohuar gjithçka në faqen e tij zyrtare në internet. Lojtari këmbënguli se në ditët përpara derbit “isha i ftuar në një hotel të Milanos, megjithatë nuk është e vërtetë se kam organizuar një festë dhe të gjitha detajet që janë përfolur janë të sajuara”. Pasi ka lexuar mesazhet e tifozëve në faqen elektronike, Dinjo vendosi “të shfryhem dhe të flas me të gjithë juve që më ndiqni. Nëpër media të ndryshme qarkullon lajmi se paskam organizuar një ‘megafestë’ gjatë ditëve përpara se të luhej derbi Inter-Milan. Mund t’ju them se ishte e vërtetë që në atë periudhë ndodhesha në një hotel të qytetit, por nuk është aspak e vërtetë që zhvillova një ‘party’, apo për detajet e përfolura”. Më tej, fantazisti foli për përkushtimin ndaj projektit të Milanit: “Gjatë muajve të fundit kam punuar shumë për të arritur objektivat personal dhe ato të Milanit. Më duket e padrejtë që përdoren imazhe të vjetra për të sajuar skandale, apo që keqpërdoret fakti se mua më pëlqen muzika. është absurde që sa herë skuadra merr rezultate negative, shpërthen një skandal për mua. I jam dedikuar plotësisht projektit që ka klubi i Milanit dhe kam dhënë gjithmonë maksimumin, pavarësisht se jo gjithmonë rezultatet janë ato të dëshiruarat. Lajme të tilla nuk më shpërqendrojnë, por do të vazhdoj të stërvitem me profesionalizëm që t’u dhuroj tifozëve gjithmonë një futboll spektakolar”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›