Apeli i Berishës: Rama të mos mbajë peng Gjykatën Administrative, ajo i duhet biznesit

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha ka kërkuar konsensusin e opozitës, për Gjykatën Administrative, duke e cilësuar miratimin e saj, si një ndihmë për biznesin, i cili në 70 % të rasteve, vepron në bashkitë e drejtuara nga PS-ja
Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje konsensusin e opozitës për të miratuar ligjet në parlament, ku në radhë është ai për Gjykatën Administrative, i cili kërkon 84 vota. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Berisha tha se opozita nuk duhet të mbajë të mbajë të bllokuar ligjet dhe reformat. Kreu i qeverisë tha se nëse opozita është e interesuar për një qeverisje të mirë vendore, ajo voton pa humbur kohë ligjin, sepse 70 për qind të subjekteve private janë totalisht në varësi të pushtetit të saj
“Shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje opozitës të trajtojë me seriozitetin më të madh problemin e votimit të këtij ligji. Së pari, dua të informoj qytetarët shqiptarë se, aktualisht 70 për qind e bizneseve në Shqipëri janë tërësisht, në raport me sistemin tatimor, në varësi totale të opozitës shqiptare. I gjithë biznesi i vogël, i cili përbën 90 për qind të biznesit shqiptar në raport me taksat, tatimet administrohen tërësisht nga qeveritë vendore. Qeveria qendrore ka nga këto biznese, kontributin e sigurimeve shoqërore. Të gjitha taksat e tjera i ka në kontroll dhe në administrim pushteti vendor. Në qoftë se opozita nuk është e interesuar për arbitraritetin e pushtetarëve të saj, ndaj biznesit, opozita e voton ligjin e gjykatës administrative. Në qoftë se opozita dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste është e interesuar për një qeverisje të mirë vendore të qeveritarëve të saj, ajo e voton pa humbur kohë ligjin, sepse 70 për qind e subjekteve private janë totalisht në varësi të pushtetit të saj. Ne u ofrojmë si kompromis, atë që, le të sjellin amendimet që duan për ligjin, me një kusht të vetëm, të respektojnë për këtë gjykatë, nenin që bashkërisht votuam për sistemin tërësor gjyqësor, nen sipas të cilit nuk mund të futen më, në sistemin e drejtësisë flukse nga politika apo të tjerë, përveçse nga magjistratura. Unë mendoj se kjo është oferta më e sinqertë dhe në rast se pushteti nuk është i interesuar që ish pushtetarë të tij apo pushtetarë të tij të vendosen në krye të sistemit gjyqësor administrative etj, atëherë përse do të jetë e interesuar opozita? Ndaj dhe unë e ftoj opozitën që të formulojë amendamentet që do, për të zgjedhur dhe procedurat më transparente të krijimit të kësaj gjykate, si dëshmi e vullnetit të saj, për të ndërprerë abuzivitetin e qeveritarëve të saj, të administratës së qeveritarëve të saj, por natyrisht edhe të qeverisë qendrore sepse unë nuk them se qeveria nuk lidhje me biznesin, sepse i tërë biznesi i mesëm dhe i madh administrohet nga autoritetet qendrore tatimore dhe jo lokale”, u shpreh kryeministri Berisha.
Sipas kryeministrit miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative, është një reformë shumë e rëndësishme, pasi siç tha kreu i qeverisë, deputetët votojnë për të kufizuar arbitraritetin qeveritar, qoftë ai qendror apo lokal mbi bizneset shqiptare dhe se ky është një detyrim ligjor dhe moral shumë i madh, si i qeverisë ashtu dhe i opozitës, si i qeverisë qendrore ashtu edhe asaj vendore, pasi gjeneratorët e zhvillimit dhe të punësimit, të pasurimit dhe prosperitet janë bizneset.
Gjithashtu kryeministri cilësoi si të një rëndësie të veçantë ligjin për Policinë Gjyqësore, i cili i jep një shtysë të jashtëzakonshme zbatimit të ligjit Anti-mafia. Kreu i qeverisë e cilësoi këtë si provën më të madhe të institucioneve të zbatimit të ligjit.
“Ligji për Policinë gjyqësore, ka një rëndësi të madhe, në kuadrin e zbatimit më të mirë, të ligjit të konfiskimit të pasurive të krimit të organizuar apo të ligjit antimafia. Ligji që ju keni votuar i bën një nder të madh Shqipërisë dhe shqiptarëve, është një dëshmi e shkëlqyer e vullnetit tuaj të hekurt për të goditur dhe shkatërruar krimin e organizuar në këtë vend. është një ligj që po shfrytëzon, po merret shembull pozitiv edhe nga vende të tjera. është një ligj, duhet ta pohojmë, jo i lehtë për tu zbatuar dhe e gjithë prova është zbatimi i tij, prova e madhe e institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri është zbatimi i këtij ligji”, tha Berisha.
Duke e konsideruar kohën, si një periudhë reformash intensive, kreu i qeverisë bëri të ditur se do finalizohet së shpejti reforma e inspektoriateve, e cila sipas tij, “është themelore për ekonominë dhe shërbimet në tërësi”.
Kreu i Qeverisë informoi për një transformim tërësor në sistemin e investimeve të huaja në Shqipëri.
“Do të krijohet një agjenci me një bord të ri, që synon të funksionojë si One Stop Shop, pra të lehtësojë e mbështesë me të gjithë fuqinë e ekzekutivit, investimet në vend. Ky bord do të përbëhet jo vetëm nga zyrtarë e qeveritarë, por edhe nga përfaqësues të biznesit”, tha kryeministri Berisha, duke bërë të ditur se reforma bazohet mbi modelin e Irlandës.
Votëbesimi i këtij ligji para mbylljes së këtij sesioni parlamentar, sipas kryeministrit Berisha, “do të ishte një mesazh i shkëlqyer dhe shumë i mirëpritur për biznesin kombëtar dhe ndërkombëtar që po dëshmon besim të madh në Shqipëri”.
“Ekonomia shqiptare dëshmoi qëndrueshmëri të shkallës më të lartë gjatë krizës ekonomike europiane dhe botërore, pasi qeveria po dëshmon vendosmërinë më të madhe për një klimë miqësore ndaj biznesit”, tha Berisha.
Sipas kryeministrit Raporti i Drejtorisë së përgjithshme të Ekonomisë dhe Financave të Komisionit Evropian ishte vlerësimi më objektiv që i bëhej rezultatit të reformave ekonomike të ndërmarra në Shqipëri.
“Të gjithë ata të cilët u përpoqën të errësojnë e të gjymtojnë të vërtetat e reformave në Shqipëri për qëllimet e tyre personale kanë marrë një përgjigje përfundimtare. Ata që mbollën vrer dhe zi nëpërmjet mediave që kontrollojnë apo mediave të tyre për të vërtetën e ekonomisë shqiptare dhe reformave të saj morën përgjigje përfundimtare. Rritja ekonomike në Shqipëri thotë raporti, pati si shtyllë kryesore investimet. Investimet e mëdha publike, investimet në tërësi, investime të cilat ishin dy herë më të mëdha se në vendin e dytë për investime me të larta dhe kjo dëshmon për funksionimin e reformave të ndërmarra të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë vetëm një qëllim kryesor, zgjerimin e lirive ekonomike. Askush nuk duhet të trembet nga liria e ushtruar si një dhunti vetë disiplinimi. Absolutisht ajo është shkopi magjik për të gjitha projektet, rezultatet, qëllimet, idealet”, u shpreh më tej, kryeministri Berisha.