E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i LSI: “PS t’i kthehet dialogut, integrimi është çështje me interes kombëtar”

01-07-2011 / Gazeta 55

Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson se ka ardhur koha që palët politike t’i orientohen debatit politik. Deputeti i kësaj force politike Vangjel Tavo i bën thirrje opozitës t’i rikthehet jetës parlamentare, duke kontribuar kështu për integrimin e vendit në BE.
Në një deklaratë për median Tavo, anëtar i kryesisë së LSI, njëherazi nënkryetari i parlamentit u shpreh se bojkoti i parlamentit nga ana e PS bëhet për interesa të ngushta partiake dhe deri personale. “Interesat e vendit shërbimi ndaj qytetarëve dhe veçanërisht procesi i integrimit në familjen e madhe evropiane kërkon nga të gjithë ne që të vendosim interesat e mëdha mbi interesat partiake apo mbi interesat e ngushta personale. Integrimi evropian i vendit e bën të domosdoshëm pjesëmarrjen dhe kontributin e opozitës në parlamentin shqiptar, bojkoti dhe politika e rrugës janë jo vetëm në kundërshti me vullnetin e socialistëve por edhe në dëm të interesave të vendit. Lëvizja Socialiste për Integrim si një forcë që ka si objektiv kryesor ruajtjen e standardeve, si një forcë që ka si objektiv ruajtjen e stabilitetit politik dhe si një forcë që si objektivin e saj parësor integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, dhe që ka kontribuar dhe kontribuon në këtë çështje, fton Partinë Socialiste që t’u bashkohet këtyre kontributeve pozitive për procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian”, u shpreh Tavo.
Ai i apeloi Edi Ramës të distancohet nga retorika e konfliktit si dhe të pranojë dialogun politik në parlament në kuadër të reformave që duhet të realizojë Shqipëria.
“Kryetari i partisë Socialiste duhet të distancohet nga praktikat destruktive që nuk bëjnë gjë tjetër veçse dëmtojnë imazhin e vendit tonë dhe pengojnë integrimin e tij në Bashkimin Evropian, një proces kaq shumë të dëshiruar nga të gjithë shqiptarët dhe që herë pas here është penguar nga politikanë të papërgjegjshëm”, tha më tej, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›