Molnari: Hungaria mbështet Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat
Hungaria mbyll presidencën e Bashkimit Evropian me mesazhe për dialog politik dhe respektimin e vendimeve të institucioneve
Polonia do të jetë shteti i radhës anëtar i Bashkimit Evropian që do drejtojë Presidencën e Bashkimit Evropian për 6 muajt e ardhshëm, deri në 1 janar 2012.
Dje, presidenca hungareze e bllokut 27 anëtarësh, prezantoi arritjet e saj 6 mujore, duke analizuar speficikisht avantazhet dhe disavantazhet e BE-së në vendet potencialisht kandidate. Ambasadori hungarez në Shqipëri, Sandor Molnari, u shpreh se politikanët duhet të vijojnë më tej për të përmbushur të gjitha detyrimet që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, pasi, sipas tij, kjo është edhe dëshira e qytetarëve shqiptarë. Molnari theksoi se Hungaria ka pasur një parim derisa arriti integrimin në BE, vënien e interesit të vendit përpara atyre politike.
Sipas tij, kjo duhet ndjekur dhe nga Shqipëria.
“Në Hungari, gjatë procesit të integrimit ka qenë një marrëveshje, që elita e lartë në Hungari kishte vendosur që çfarëdo marrëveshje, ligj, që do kalonte në parlament, duhet të tejkalonte interesat politike. Domosdoshmërisht dhe ne kishim debatet tona, të ndryshme, por i tejkalonim, duke patur parasysh të ardhmen europiane. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të ishte në interes të Shqipërisë, pasi është dëshira më e fortë e pjesës më të madhe të qytetarëve shqiptarë. Sipas sondazheve, më shumë se 90 për qind e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE dhe kjo do të thotë që politikanët duhet ta vazhdojnë më tej këtë punë”, u shpreh Molnari.
Ai bëri të ditur se, “Hungaria mbështet marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria, por sipas tij, për ta arritur këtë gjë nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveçse të nisë dialogu mes qeverisë dhe opozitës për të përshpejtuar edhe hapat për integrimin e vendit. Sipas tij, “çelësi i vetëm për Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE është plotësimi i 12 rekomandimeve të Komisionit Europian dhe kjo mund të bëhet përmes dialogut politik. Ne patëm kënaqësinë që të shihnim para zgjedhjeve që nisi dialogu për zbatimin e 12 prioriteteve, por mund të theksoj se nuk ka asnjë alternativë tjetër realiste përveç nisjes së dialogut mes qeverisë dhe opozitës për hapat që duhet të nisin për anëtarësimin e vendit në BE”, tha ambasadori hungarez.
Një pikë e rëndësishme sipas ambasadorit hungarez Molnari, është respektimi i vendimeve të institucioneve të pavarura. Ai theksoi se pret që forcat politike në Tiranë të nisin reformën zgjedhore si dhe të pranojnë vendimin e Kolegjit Zgjedhor për çështjen e Tiranës.
Ndërsa ambasadori spanjoll, Rafael Perez, i pranishëm në këtë prezantim, u shpreh se “kjo situatë duhet të zgjidhet në një kohë sa më shpejtë, në favor të vendit”.
Ndërkaq, gjatë presidencës polake, e cila ka filluar punën sot, Shqipëria pritet të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Në nëntor të këtij viti, Komisioni Evropian do t’i prezantojë autoriteteve shqiptare progres-raportin për vitin 2011, i cili do jetë pikë referimi për Brukselin, në mandatimin e Shqipërisë si kandidate e Bashkimit Evropian.