Kolegji Zgjedhor/Më 6 korrik shqyrtohet ankesa e re e PS-së, s’ka shpresa për njollosjen e zgjedhjeve
Kolegji Zgjedhor i Apelit do të shqyrtojë në 6 korrik kërkesë padinë e re të Partisë Socialiste për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 284 qendrat e votimit në Tiranë. Pas hedhjes së shortit gjatë paradites së djeshme, u vendos që relatori i çështjes të jetë gjyqtari Astrit Kalaja, ndërsa anëtarë të trupit gjykues do të jenë gjyqtarët Dhurata Haveri, Marie Qiriazi, Sashenka Jonuzi dhe Petraq Dhimitri.
Në padinë e depozituar pranë Gjykatës së Apelit, juristët e PS evidentojnë shkeljet që sipas tyre kanë cenuar rënë procesin zgjedhor të 8 majit në Tiranë. Mos rakordimi i shifrave, evidentimi i kutive të dëmtuara pa integritet në 35 për qind të rasteve, mungesa e disa zarfeve dhe fletë të pavlefshme, apo mungesa e kodit të pestë janë disa prej pretendimeve të ngritura nga ekspertët ligjorë të selisë rozë që do të gjykohen nga Kolegji Zgjedhor të mërkurën.
Kjo padi e re e socialistëve vjen pas rrëzimit pa shqyrtim të kërkesës ankimore të PS nga KQZ, i cili argumentoi lidhur me pretendimet e juristëve të selisë rozë për pavlefshmëri të zgjedhjeve në kryeqytet se është jashtë afateve ligjore të përcaktuara në kod.
Ankimimi sipas KQZ-së duhet të ishte bërë kur organi më i lartë i administrimit të zgjedhjeve mori kompetencat e KZAZ-së së madhe për Tiranën dhe këqyri 117 kutitë e votimit.
Më 25 qershor KQZ shpalli kandidatin demokrat, Lulzim Basha, fitues të zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë Tiranë, me 93 vota më shumë se rivali i tij socialist, Edi Rama.