E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i ndërkombëtarëve: “Politika ta konsiderojë integrimin si një axhendë kombëtare”

01-07-2011 / Gazeta 55

Kreu i delegacionit të BE në Tiranë, Ettore Sequi, në ditën kur u krye rotacioni i presidencës së unionit, nga Hungaria tek Polonia, ripërsëriti mbështetjen që Shqipëria të marrë në vjeshtë statusin e kandidatit, por i bëri apel opozitës që procesin e integrimit në Europë ta konsiderohet si një axhendë kombëtare
 
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, deklaroi dje në prezantimin e arritjeve të BE-së gjatë presidencës hungareze, se procesi i integrimit për Shqipërinë duhet të konsiderohet si axhendë kombëtare.
Sequi u shpreh në fjalën e tij, duke analizuar procesin e integrimit të Shqipërisë, se, “ambicia ime, ajo që pres unë, shpresa ime, është që procesi i integrimit të konsiderohet si axhendë kombëtare në Shqipëri, të kuptohet çfarë të mirash i sjell një vendi anëtarësimi në BE”.
Ai citoi edhe raportin e Ministrave të Jashtëm të BE-së në mbledhjen e Luksemburgut, të cilët kërkuan rifillimin e dialogut politik në vend.
“Këshilli i BE bëri një takim dhe nxori një dokument, ku bëri disa sugjerime. Në pikën 4, BE i bën thirrje qeverisë dhe opozitës shqiptare t’i rikthehet dialogut politik dhe te tejkalojnë ngërçin e gjatë politik. Ky dialog i tillë është i rëndësishëm për funksionimin normal të një shoqërie demokratike, duke përfshirë këtu funksionimin efikas të parlamentit dhe menaxhimin e vendit drejt axhendës evropiane”, tha Sequi.
Sipas tij, qytetarët shqiptarë e kërkojnë anëtarësimin në BE.
“Mund të them pa pikë dyshimi se kjo nuk do ishte vetëm në interes të Shqipërisë, por duhet ta dimë që kjo është dëshira e qytetarëve dhe pjesës më të madhe të qytetarëve shqiptarë. Kjo, gjithnjë nëse është e vërtetë që më shumë se 90 për qind e qytetarëve e mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, do të thotë se dhe politikanët duhet ta mbështesin këtë punë”, u shpreh përfaqësuesi i BE në vendin tonë.
Por, sipas tij, për të arritur integrimin duhet parë edhe angazhimi i shqiptarëve për këtë dhe kjo përkthehet në rifillimin e dialogut politik dhe zgjidhjen e ngërçit politik.
“Për sa e njoh unë Shqipërinë dhe shqiptarët procesi i integrimi është i mundshëm. Ju keni mundësi dhe mund të mobilizoni energjitë tuaja ta bëni këtë. Ajo që ju nevojitet është vullneti politik. Për këtë folën edhe ministrat e Jashtëm, të cilët i bënë thirrje palëve që të rikthejnë dialogun politik dhe ta tejkalojnë ngërçin e tej zgjatur. Ashtu siç kam thënë në parë integrimi është një axhendë kombëtare. Ne duam të shikojmë angazhimin tuaj dhe kjo përkthehet me nisjen e dialogut”, theksoi Sequi.
I dërguari i Brukselit në Tiranë tha se BE jep rreth 90 milionë euro çdo vit ndihmë për Shqipërinë.
Sipas tij, “Europa po tregon se e ka vërtetuar çdo ditë, gjithnjë e me tepër, që është këtu për të ndihmuar, megjithatë ju duhet ta dini se ky është vendi juaj dhe këto janë mundësitë tuaja, kjo është përgjegjësia juaj”.
 
 

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›