Haxhinasto: Shqipëria do dërgojë trupa shtesë në Afganistan
Ministri i Jashtëm mori pjesë në takimin e Kartës së Adriatikut në Mal të Zi
Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, mori pjesë në takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut (A5), që u zhvillua në Budva, Mali i Zi, ku ishin të pranishëm Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare. Në këtë takim Haxhinasto u shpreh se “Shqipëria do dërgojë trupa shtesë në Afganistan”.
Në këtë takim i cili u zhvillua në Budva të Malit të Zi, mori pjesë për herë të parë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Anders Fogh Rasmussen.
Diskutimet në takim u përqendruan mbi integrimin Euro-Atlantik të Evropës Juglindore si edhe kontributin e vendeve të A5 në operacionin e NATO-s në Afganistan.
Duke përshëndetur arritjet e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë- Hercegovinës në rrugën drejt anëtarësimit në Aleancë, Haxhinasto shprehu keqardhjen që Serbia, nuk iu përgjigj ftesës për të marrë pjesë në këtë takim. Ndërsa i pranishëm ishte edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, si dhe përfaqësues të SHBA-së dhe Sllovenisë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto shprehu kënaqësinë që në takim ishte i pranishëm përfaqësuesi i Kosovës, duke përcjellë një mesazh të qartë të angazhimit të Kosovës për t’ju bashkuar kësaj iniciative.
“Shqipëria, tha ministri Haxhinasto, mbështet vendet e rajonit për t’u bërë pjesë e Aleancës në një kohë sa më të afërt”.
Gjithashtu, ministri i Jashtëm shprehu angazhimin e Shqipërisë për të vazhduar kontributin në Afganistan, duke iu bashkuar edhe iniciativës mbi Shkollën e Policisë në Kabul.
Në përfundim të takimit, vendet anëtare të Kartës së Adriatikut miratuan një Deklaratë të Përbashkët, ku vlerësojnë rolin e rëndësishëm që Karta e Adriatikut luan në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, si dhe konfirmuan angazhimin që vendet e A-5 të punojnë së bashku për integrimin euro-atlantik të gjithë vendeve të Evropës Juglindore.