E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i OSBE, bëhuni gati për zgjedhjet e 8 majit

09/02/2011  Ambasadori Uollfarth shprehet i shqetësuar për vonesat e listave

Misioni i OSBE-së në Tiranë është shprehur i shqetësuar mbi bojkotin institucional që opozita shqiptare i ka bërë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Duke iu referuar jo vetëm mungesës së përsëritur të tre anëtarëve të PS-së në KQZ, por së fundmi dhe mosdorëzimit brenda datës së përcaktuar në Kodin Zgjedhor të listës së anëtarëve të KZAZ-ve për organizimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit, ambasadori i OSBE-së, Eugen Uollfarth u ka bërë sërish dje thirrje partive politike shqiptare që të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe të paraqesin propozimet e tyre për komisionerët zgjedhorë pranë institucionit më të lartë zgjedhor në vend. “Jam jashtëzakonisht i shqetësuar në lidhje me problemet që po has aktualisht KQZ-ja. Nga 66 Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor, vetëm 12 prej tyre janë ngritur pjesërisht brenda afatit të 7 shkurtit 2011”, ka deklaruar Uollfarth. Ambasadori i OSBE-së u kërkoi subjekteve politike që ti dorëzojnë urgjentisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve propozimet e kërkuara për anëtarë të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, me qëllim përgatitjen siç duhet të zgjedhjeve për qeverinë vendore. Gjatë deklaratës së tij, ambasadori Uollfarth iu referua dhe legjislacionit shqiptar, ku ndër të tjera theksoi se në bazë të Kodit Zgjedhor dhe të dekretit të Presidentit të Republikës, KQZ-ja duhet të vazhdojë urgjentisht me të gjitha përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet e planifikuara për 8 maj 2011. Pavarësisht se vetëm një ditë më parë në mbledhjen e KQZ-së u konfirmua se Partia Demokratike është e vetmja forcë politike që i ka përfunduar të gjitha propozimet për anëtarët e KZAZ-ve, Uollfarth në fjalën e tij të mbajtur dje vuri në dukje se asnjë nga partitë politike nuk ka arritur të përmbushë afatin zyrtar të 24 janarit 2011 për dërgimin e propozimeve për anëtarë të komisioneve zgjedhore. “Një situatë e tillë tregon një shpërfillje të hapur për aspiratat demokratike të qytetarëve shqiptarë nga partitë politike. Unë u bëj thirrje partive politike të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe për ta adresuar këtë çështje në mënyrë të menjëhershme, pasi dita e zgjedhjeve po afron”, tha Uollfarth. Më pas ai shtoi se “shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë të vendit presin që zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvillohen më 8 maj, ashtu siç janë dekretuar nga Presidenti i Republikës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e përgatitjes së këtyre zgjedhjeve. Puna e tij do të bëhej më e lehtë, nëse të gjitha partitë politike veprojnë menjëherë dhe respektojnë ligjin, duke dorëzuar emrat e të gjithë komisionerëve zgjedhorë brenda afatit”.

KQZ kanë mbaruar të gjitha afatet për opozitën

Ristani: Komisionerët nga shoqëria civile, mësues dhe avokatë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, në një deklaratë të dhënë mesditën e djeshme, duke iu referuar mosbashkëpunimit të opozitës me institucionin që ai drejton, në lidhje me mosdorëzimin brenda afateve të listës së propozimeve për anëtarët e KZAZ-ve, theksoi se “Kodi Zgjedhor parashikon të drejtën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kur ezaurohen kërkesat e partive politike, ka të drejtën të propozojë kandidaturat. Pra, ai parashikon të drejtën e KQZ-së për të emëruar anëtarë dhe komisionerë të KQZ-së në ato vende ku nuk plotësohet kuorumi vendimmarrës”. Dhe për këtë arsye, Ristani u shpreh se KQZ-ja do mundohet për të ruajtur balancimin e këtyre institucioneve, si dhe do shikojë mundësitë për të emëruar komisionerët e rinj nga radhët e mësuesve, avokatëve, studentëve. “Është një gjë që do ta mendojmë në KQZ dhe do ketë një vendimmarrje për këtë çështje”, tha Ristani. NdërsaiI pyetur nëse KQZ-ja ka menduar për ndonjë afat të dytë për opozitën, edhe pse ajo ka shkelur afatin, i cili ka përfunduar para dy ditësh, Ristani u shpreh se “afati ka qenë data 23 janar dhe që nga ajo datë afati ka mbaruar. Ka qenë data 8 shkurt dita e sotme (e djeshme), kur ne duhet ti kishim ngritur ndërkohë komisionet e nivelit të dytë, po për arsye të këtyre mangësive ligjore që vijnë nga partitë politike KZAZ-të nuk kemi arritur ti ngremë. Ndërkohë që afati ka përfunduar dhe nuk mund të ketë një afat të dytë”. Ndërsa në lidhje me mangësitë e krijuara në KQZ nga mungesa e tre anëtarëve të opozitës, Ristani theksoi se KQZ-ja ka kuorumin e nevojshëm që të zhvillojë mbledhjet e saj, ku të merren dhe vendimet për të vijuar në përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme të 8 majit. “Ne kemi mundësinë të vazhdojmë me përgatitjen e zgjedhjeve në mënyrë të rregullt. Fakti që tre anëtarë nuk marrin pjesë për mua është shkelje e hapur e ligjit dhe është anshmëri e tyre në kryerjen e detyrës”, tha kreu i KQZ-së, Arben Ristani.

Bojkoti

Pavarësisht thirrjeve publike të bëra nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Uollfarth, i cili u bëri thirrje subjekteve politike që të mos zvarrisin më tej procesin e dorëzimit të dokumentacionit përkatës pranë KQZ-së, opozita nuk ka dorëzuar ende listën e plotë të kandidatëve të saj që do të konkurrojnë për zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit, si dhe nuk ka bërë propozimet e saj për anëtarët e KZAZ-ve, duke shkelur kështu dhe Kodin Zgjedhor. Bojkotit të opozitës i shtohet këtu dhe mungesa e përsëritur në mbledhjet e KQZ-së të tre anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste.

PD e LSI gati për zgjedhjet

Partia Demokratike është e vetmja forcë politike që ka respektuar të gjitha afatet ligjore, ndërkohë që deri në mesditën e djeshme LSI-ja ka plotësuar detyrimet e saj për 51 propozime për anëtarë të KZAZ-ve. Në mbledhjen e djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sërish në mungesë të anëtarëve të opozitës, u theksua nga kreu i KQZ-së, Arben Ristani, se “Partia Demokratike ka kryer të gjitha propozimet e saj një ditë më parë, për anëtarët e sekretarët e të gjitha KZAZ-ve, me dokumentacion të rregullt. LSI-ja vetëm për 51 nga këto propozime i ka materialet e rregullta. Ndërsa jemi në pritje të listave të opozitës”.

Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit shprehet mbi situatën në Shqipëri

Countryman: Zgjedhjet e ardhshme të jenë të pastra e të suksesshme.

“Shqipëria nuk ka nevojë për teatër politik”

Duke e cilësuar “një tragjedi, e cila nuk duhej të kishte ndodhur”, ngjarjen e 21 janarit në Tiranë, zëvendësndihmëssekretari amerikan i SHBA, Thomas Countryman, i bëri thirrje politikës shqiptare që të mos abuzojnë me katër viktimat e demonstratës së dhunshme. Duke iu referuar dhe protestave në vijim të së premtes së 21 janarit, Countryman thekson se opozita ka të tjera rrugë demokratike që mund të ndjekë dhe të heqë dorë nga demonstratat. “Në 21 janar pati tragjedi dhe humbje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk kishte arsye që njerëzit të vriteshin. Kjo na turpëron neve që liderët e partive thonë e di sesi ka ndodhur dhe e di se kush e ka fajin. Shqipëria nuk ka nevojë për këtë teatër politik. Ajo çfarë ndodhi me dy të premtet që pasuan, tregoi se ajo çfarë ndodhi në 21 janar nuk duhet të kishte ndodhur. Demonstratat, veçanërisht ato të dhunshmet, nuk duhet ti shërbejnë qëllimeve jodemokratike. Opozita ka disa objektiva që mund ti ndjekë sipas mënyrës demokratike kushtetuese. E kjo mënyrë duhet të ndiqet. Nëse protestat paqësore janë pjesë e kësaj mënyre, është e pranueshme, por nuk duhet që ato të shtypen me mjete jodemokratike”, është shprehur Countryman. Ndërsa në lidhje me hetimet që po zhvillon prokuroria për hetimin e ngjarjes tragjike, Countryman tha se institucionet e pavarura nuk duhet të kontrollohen nga asnjëra palë dhe askush nuk duhet të paragjykojë rezultatin final të hetimit të Prokurorisë. “Ata 6 persona duhet të merren në pyetje. Si Prokurorja e Përgjithshme, shefi i Shërbimit Sekret apo Presidenti i Republikës, ata kanë një punë të pavarur, jopolitike, për të bërë, e ata duhen lejuar që ta bëjnë atë”, u shpreh Countryman. Gjithashtu ai u bëri thirrje partive politike që zgjedhjet e ardhshme të jenë të pastra e të suksesshme. Për sa i takon atyre të së kaluarës, përfshirë këtu dhe zgjedhjet parlamentare 2009, që përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare, sipas OSBE-së, Countryman tha: “Ne asnjëherë nuk kemi pasur zgjedhje të përkryera në Ballkan, kemi pasur një organizim madhështor të OSBE/ODIHR. Ata bënë një raport ku detajuan gjithë problemet zgjedhore dhe është ekstremisht zhgënjyese që në Shqipëri, asnjëra palë nuk ka bërë asgjë për të lëvizur para me miratimin e kushteve të ODIHR”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›