E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Withers, tërhiqen kallëzimet e kontrollet e prokurorisë për Fazlliç

 

TIRANE - Reagimet e qarta të ambasadorit amerikan në Tiranë, në mbështetje të prokurorisë, dhanë efekt të menjëhershëm në zbutjen e krizës mes prokurorisë dhe dikastereve që varen nga Qeveria. Konfliktualiteti që pasoi hapjen e hetimeve ndaj biznesmenit boshnjak, Damir Fazlliç, dhe sulmet e Ministrisë së Brendshme e të Drejtësisë në adresë të prokurorisë, të shfaqura dukshëm javën e shkuar, tashmë nuk duken në horizont. Dy ditë pas përplasjes së Prokurorisë së Tiranës me policinë e Rinasit, Ministria e Brendshme deklaroi se do të denonconte për ndjekje penale prokurorët që i kishin kërkuar policisë, përmes telefonit, ndalimin e biznesmenit boshnjak në aeroport. Një denoncim i tillë u komentua si një trysni që po ushtrohej ndaj përfaqësuesve të akuzës, të cilët pretenduan se kishin përmbushur detyrën sipas ligjit. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, thanë dje në përfundim të orarit zyrtar, se në këtë institucion nuk ka mbërritur asnjë denoncim nga Ministria e Brendshme në adresë të prokurorëve të përmendur një javë më parë. Ministria e Brendshme shpalli publikisht një javë më parë se një drejtues në Prokurorinë e Përgjithshme dhe një zv/prokuror i rrethit Tiranë kishin shpërdoruar detyrën, duke shkelur Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin për të huajt. Po kështu duket se është tërhequr edhe Ministria e Drejtësisë, e cila javën e shkuar tentoi të fuste me forcë inspektorët e saj për të kontrolluar dosjen “Fazlliç” në prokurori. Edhe pse vendimi i Ministrit të Drejtësisë për kontroll është ende në fuqi, inspektorët në varësi të tij nuk janë paraqitur këto ditë në prokurori.                re.kr

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›