E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falen taksat e prapambetura të makinave

 

Qeveria merr vendimin për faljen e detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve dhe të taksës së regjistrimit të përvitshëm, të tyre për vitin 2008. Në mbledhjen e mbrëmshme Këshilli i Ministrave ka vendosur faljen e detyrimeve për makinat, duke detyruar pronarët debitorë të paraqesin disa dokumente pronësie të automjetit që disponojnë. Drejtoritë rajonale të Transportit Rrugor duhet të listojë të gjitha makinat me probleme për këtë proces. “Pronarët e mjeteve, që janë në qarkullim, debitore për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe të taksës së regjistrimit të përvitshme, të cilët kryejnë veprimet përkatëse të pagesës së detyrimeve, në të gjithë komponentët e tij, të vitit 2008, brenda afatit kohor të përcaktuar në ligj, nuk do të paguajnë taksat e prapambetura”, thuhet në pikën pesë të vendimit të qeverisë. Ky vendim merret me qëllim për ç’regjistrimin e automjeteve që nuk janë më në qarkullim. Ndërsa për pronarët e mjeteve, që nuk janë në qarkullim, debitorë për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe taksën e regjistrimit të përvitshme, të cilët nuk kryejnë veprimet për çregjistrimin përfundimtar të mjetit, brenda afatit kohor të përcaktuar në ligj, DRSHTRr-të, nuk do të kryejnë asnjë veprim, për mjetet e tjera në pronësi të tyre, deri në kryerjen e plotë të veprimeve të çregjistrimit të mjeteve, që nuk kanë paguar taksat. Qeveria ka përcaktuar gjithashtu se pas përfundimit të afatit kohor, të përcaktuar në ligj, për kryerjen e veprimeve të çregjistrimit të mjeteve, që nuk janë në qarkullim, DPSHTRr-ja heq nga regjistri aktiv dhe mban në regjistrin pasiv, të gjitha mjetet, të cilat nuk kanë kryer kontrollet teknike të detyrueshme në dy vitet e fundit, duke njoftuar dhe pronarët e këtyre mjeteve. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit dhe DPSHTRr-të, të marrin të gjitha masat për informimin e pronarëve të mjeteve, që janë debitorë, për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe taksën e regjistrimit të përvitshme, për të kryer, brenda afatit kohor të përcaktuara në ligj, respektivisht, veprimet e nevojshme të çregjistrimit për mjetet, që nuk qarkullojnë, dhe pagesën e taksave të vitit 2008 për mjetet, që qarkullojnë. Ky proces do të realizohet në bashkëpunim mes ministrisë së Transportit dhe të Brendshme, si dhe merr fuqi ligjore menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

vendimi i qeverise

Pronarët debitorë për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe taksën e regjistrimit dorëzojnë:

a) formularin e vetdeklarimit, për shkatërrimin, skrapimin ose eksportimin përfundimtar jashtë shtetit të mjetit, sipas modelit të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRr);
b) certifikatën e pronësisë;
c) lejen e qarkullimit;
d) targat e mjetit.

Në rastet kur pronarët e mjeteve, që nuk janë në qarkullim, nuk disponojnë certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit, targën Drejtoria plotëson formularin e hartuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›