E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si në klasë të parë!

Skënder Minxhozi 

A” e madhe e shtypit, “a”  e vogël e shtypit! Këtë frazë e kemi dëgjuar të gjithë kur kemi qenë në klasë të parë, por mesa duket u dashka përsëritur edhe për të rriturit herë pas here. Shikoni çfarë ndodhi dje. Diçka të ngjashme bëri ambasadori amerikan Xhon Uidhers me qeverinë shqiptare dhe maxhorancën, kur mësoi se kjo e fundit i kishte konsideruar kritikat e tij të një dite më parë, thjesht si “keqkuptime”. Dhe ambasadori nuk përtoi (një gjest i rrallë ky) të përsërisë edhe një herë nga e para se sjellja e dy ministrive ndaj prokurorisë ishte një akt shqetësues, se të tilla ishin edhe dy nisma ligjore që qeveria ka ndërmarrë ndaj gjykatave dhe organit të akuzës, se të tilla janë të gjitha përçapjet e shumicës për të futur shkopinj nën rrotat e hetimit, lidhur me dosjet e nxehta që kanë zënë prej kohësh faqet e para të shtypit.
Me gojën e diplomatit amerikan mësuam se mes Shqipërisë dhe SHBA nuk ka thjesht keqkuptime, por probleme. Ndërkohë, nga vetë dalja publike e kryeministrit përballë ambasadorit, mësuam se shefi i qeverisë nuk kishte reflektuar fare (dhe padyshim që edhe tani s’ka reflektuar asnjë grimë) rreth asaj që Uidhers kishte thënë një ditë më parë në prani të Ina Ramës.
Opozita dhe një parti e koalicionit qeveritar kërkuan dje dorëheqjen e kryeministrit, pas deklaratave të ambasadorit amerikan. Ata që e njohin sadopak natyrën e Berishës, janë gati t’i venë të dyja duart në zjarr se atij as që i kalon nëpër mend të lerë postin që mban. Berisha nuk njeh tërheqje, ai nuk e njeh dhe as që dëshiron ta mësojë mësimin e thjeshtë të jetës, që thotë se njeriu duhet të pranojë edhe gabime, edhe përgjegjësi, duke paguar në një moment të caktuar për to. Historia e 20 vjetëve të fundit na ka mësuar se kryeministri ka preferuar të qëndrojë majë kalit, edhe kur ky i fundit kishte ngordhur. Prandaj, dorëheqja është një opsion që duhet përjashtuar pa pikë mëdyshjeje, për më tepër që aktualisht në llogaritë e kreut të ekzekutivit janë futur edhe shumë e shumë faktorë ekstra-politikë, të cilët ia bëjnë të pamundur largimin nga qeveria.
Berisha ka brenda vetes një instinkt politik vetëshkatërrimi. E ka treguar këtë në të shkuarën, e tregoi edhe së fundi, kur i hyri luftës me Prokurorinë, megjithëse e dinte qysh në krye të herës (ia kishin bërë të qartë në mënyrë të përsëritur), që e kishte të humbur këtë betejë. Tani puna është që instinkti i vetëshkatërrimit të Sali Berishës, të mos shkatërrojë edhe të ardhmen e shqiptarëve. Dhe e ardhmja, në këtë vit elektoral, rimon me fjalën “zgjedhje”.
Për pasojë, Xhon Uidhersit dhe kolegëve të tij në Tiranë, Uashington, Londër e Berlin, mund t’u duhet që ta përsërisin edhe më tej në të ardhmen, leksionin “me dy seanca” që sapo u mbajt dje para qeverisë dhe shqiptarëve. Ndodhemi para votimeve dhe e rëndësishme është që situata të mbahet brenda kontrollit. Fjala është kryesisht për atë tutelë dhe asistencë që historikisht trupi diplomatik dhe përgjithësisht prezenca e huaj, kanë pasur mbi qeverisjet në Shqipëri dhe që ka shërbyer si një hipotekë e vyer në ruajtjen e ekuilibrave, shmangien e konflikteve politike dhe rëniet e rrezikshme të rendit kushtetues në Shqipëri. Herën e parë dhe të fundit që kjo ndodhi, më 1997, shumëkush e kujton si njërin ndër makthet më të këqija të historisë tonë moderne. Dhe brenda këtij makthi ka një element tejet shqetësues, i cili lidhet me marrëdhëniet e kreut të maxhorancës me amerikanët. Precedenti i vitit 1996, i cili ka shënuar pikën më të keqe të kësaj marrëdhënieje dypalëshe mjaft komplekse dhe me ulje-ngritje, ka treguar se kur zoti Berisha ka dalë jashtë “kontrollit” amerikan, pasojat kanë qenë dramatike jo vetëm për të, por për të gjithë vendin. Një precedent i tillë duhet shmangur, sepse ai do të sillte premisat e një situate alarmante në këtë prag zgjedhjesh. Në një vend si Shqipëria, një qeveri jashtë kontrollit ndërkombëtar, është një qeveri e rrezikshme. Kjo aksiomë u pa edhe dje sesa e rëndësishme është, kur detyruam një ambasador të na e thoshte açik se qëndrimi ynë hileqar i “moskuptimit” të mesazheve që vijnë nga ndërkombëtarët, është diçka që nuk do të tolerohet më në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›