Qeveria jep 870 kuota master për Universitetin e Tiranës
Qeveria merr vendimin për hapjen e programeve të studimit, master i nivelit të parë në mësuesi, për arsimin e mesëm, me kohë të plotë, si dhe miratimin e kuotave të pranimit e të tarifës së shkollimit në këto programe, në universitetin e Tiranës. Ky vendim i marrë në mbledhjen e mbrëmshme të qeverisë është për vitin akademik 2008-2009. “Këshilli i Ministrave vendos hapjen, në Universitetin e Tiranës, të programeve të studimit, master i nivelit të parë në mësuesi, për arsimin e mesëm, sipas fakulteteve, si më poshtë vijon: në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja; b) në Fakultetin Histori-Filologji dhe c) Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës”, thuhet në njoftimin e qeverisë. Në këto fakultet jepen 870 kuota studimi për në master. Programet e studimeve, master i nivelit të parë në mësuesi, për arsimin e mesëm, realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tij është një vit. Sipas vendimit Universiteti i Tiranës shpërndan kuotat e vëna në dispozicion në masën jo më pak se 30 për qind, për studentët, që kanë përfunduar, të paktën, ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë, dhe jo më shumë se 70 për qind, për ata që i kanë përfunduar këto studime pranë tij. “Në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, që plotësojnë kriteret, atëherë Universiteti i Tiranës ka të drejtë ta plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët, që janë diplomuar në të. Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, të përcaktuara nga njësitë kryesore të Universitetit të Tiranës, bëhen publike”, thuhet në pikën 4 të vendimit. Nxënësit me nota të shkëlqyer nuk e paguajnë masterin, ndërsa për shtresa të ndryshme sociale parashikohet pagesa në masën 50 për qind.
Kuotat e pranimit
a) Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja:
i) në lëndën gjuhë angleze 180;
ii) në lëndën gjuhë frënge 80;
iii) në lëndën gjuhë gjermane 80;
iv) në lëndën gjuhë italiane 120.
b) Në Fakultetin Histori-Filologji:
i) në lëndën gjuhë-letërsi 120;
ii) në lëndën histori 100;
iii) në lëndën gjeografi 100;
c) Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës:
i) në lëndën biologji 60;
ii) në lëndën kimi 30;
iii) në lëndën fizikë 60;
iv) në lëndën matematikë 40.