E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Nuk kam keqkuptime, hetimi ndaj Ina Ramës nuk ka arsye legjitime

 

BLEDAR HOTI

SHBA do të monitorojë konfliktin ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe Qeverisë. Ambasadori amerikan Xhon Uidhers kësaj here ka pasur rastin t’ia shprehë këtë shqetësim të qeverisë amerikane direkt kryeministrit Sali Berisha, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së Programi II i Pragut Sfida e Mijëvjeçarit-Shqipëria. “Amerikanët janë shumë seriozë për demokracinë. Prandaj edhe kam shprehur shqetësime në lidhje me zhvillimet e fundit këtu në Shqipëri. Disa herë më kanë thënë, deri edhe pardje në mbrëmje, që shqetësimet e mia bazohen mbi keqkuptime të asaj çka ndodh këtu. Do të doja t’u bëj të qartë atyre personave që ne amerikanët e dimë se si funksionon një sistem demokratik. Shqetësimet e mia dhe shqetësimet e qeverisë sime nuk bazohen mbi keqkuptime. Ato bazohen mbi realitete”, deklaroi Uidhers. Ambasadori amerikan ka shtuar dozën e kritikave të tij ndaj veprimeve të ministrive, në lidhje me përplasjen e nisur me Prokurorinë e Përgjithshme. “Veprimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme fundjavën e kaluar janë shqetësuese sepse janë reale. Ligji për administratën gjyqësore, që ndërhyn në autoritetet dhe të drejtat e gjykatës, dhe që aktualisht ndodhet para Parlamentit, është shqetësues sepse është real. Lëvizjet në parlament, edhe sot, për një hetim mbi funksionimin e Prokurores së Përgjithshme për kurrfarë arsyeje legjitime, janë shqetësuese sepse janë reale. Këto janë ngjarje që qeveria ime dhe unë do t’i ndjekim nga afër dhe do të jemi seriozë në lidhje me to”, deklaroi Uidhers. Ai iu është kundërpërgjigjur kështu dhe qëndrimit të mbajtur nga ana e nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi, në lidhje me faktin se SHBA ka keqkuptuar çështjen e konfliktit me prokurorinë. Në emisionin “Top Story”, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Patozi, deklaroi se “unë besoj se i duhet shpjeguar edhe zotit Uidhers dhe kujtdo tjetër partneri të vendeve të NATO dhe Bashkimit Evropian në Shqipëri, i duhet shpjeguar me shumë kujdes se cilat janë qëllimet tona dhe kush është intensioni ynë në gjithë këtë ndërmarrje”.
NATO dhe pritshmëria e SHBA
Diplomati amerikan ka përfituar nga rasti që të japë dhe leksione demokracie dhe të flasë në lidhje me procesin e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. “E sotmja është një ditë pritshmërish, pritshmërish më të larta se ato që kemi njohur ndonjëherë. Nesër, ato pritshmëri do të jenë edhe më të larta. Kur qeveria amerikane, udhëhequr nga Shtëpia e Bardhë, e ftoi Shqipërinë të bëhej anëtare e NATO-s në prill, pritshmëria e saj ishte që Shqipëria do të përmbushte standardet më të larta të demokracisë”, theksoi Uidhers. Ai theksoi se “Kur muajin e kaluar, Senati i SHBA ratifikoi protokollet e NATO-s për Shqipërinë, pritshmëria e tij ishte që Shqipëria do të kishte një përkushtim të pandryshueshëm dhe të pakthyeshëm ndaj demokracisë”. Ndërsa ka vënë theksin se demokracia kërkon impenjime serioze dhe vepra konkrete.

Nënshkruhet marrëveshja

SHBA, 15 milionë USD Shqipërisë për korrupsionin

Shqipëria hyri dje në një raund të ri në luftën kundër korrupsionit me nënshkrimin e marrëveshjes së dytë të Programit të Pragut me Korporatën Sfida e Mijëvjeçarit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo marrëveshje dypalëshe që do të zbatojë për një periudhë 2-vjeçare Programin e Pragut “Faza e Dytë” me vleftë 15.7 milionë dollarë, ngrihet mbi suksesin e programit aktual të Pragut të KSM-së, i cili do të përfundojë më 15 nëntor 2008. Programi që do të përfundojë në muajin nëntor fokusohet në uljen e korrupsionit në prokurimet publike, në administrimin e tatimeve, si dhe në regjistrimin e biznesit. Programi i ri, i administruar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), synon të përmirësojë aftësinë e sistemit gjyqësor për trajtimin e mosmarrëveshjeve administrative, të zvogëlojë korrupsionin dhe ineficiencën në administratën tatimore, të ndërtojë një qendër kombëtare “one-stop shop” për licencat e bizneseve, të krijojë një sistem transparent të dhënies së lejeve të ndërtimit, si dhe të formojë një Njësi të Përbashkëta Hetimore në gjashtë qytete për të hetuar çështjet e korrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›