Apeli i deputetëve durrsakë: Trojet në bregdet të mos mbushen me pallate
Deputetët e Durrësit kanë nisur fazën e dytë të diskutimit për ngritjen e portit të ri të peshkimit, duke synuar çlirimin e kalatave nga afro 140 anije peshkimi, të cilat aktualisht po vonojnë investimet atje.
Porti i ri i peshkimit dhe zona ku ai do të ndërtohet, ka marrë një diskutim të gjerë nga deputetët e Durrësit, por edhe pushtetarët vendorë. Nisur nga rëndësia, ai ka qenë pjesë e një diskutimi ndërmjet pushtetarëve vendorë, hartuesve të projektit, si dhe deputetëve. Objekti i diskutimeve ka qenë mëdyshja që ekziston për zbatimin pikë për pikë të këtij projekti, për shkak të tendencave për ta ndryshuar atë. Kundërshtitë vijnë nga grupe interesi të biznesit të ndërtimit, të cilët kanë synime në territorin ku sipas projektit kalon rruga, që do të lidhë portin me qytetin, pasi kërkojnë të ndërtojnë pallate. Kjo ka qenë e kundërshtueshme kategorikisht nga deputetët, pasi sipas tyre, “zonat bregdetare duhet të jenë të lira dhe jo të pushtohen nga pallate, duke lindur kështu skandale të reja me trojet atje”. Në këto kushte është rishfaqur ditët e fundit ideja e variantit të parë të projektit, sipas të cilit, rrugët lidhëse duhet të kalojnë nga territori i portit ekzistues. Por nga diskutimet e bëra nga pjesëmarrësit në takim, doli qartë se ata ishin të gjithë të mendimit se porti i peshkimit duhet të jetë një objekt civil sikurse janë të gjithë portet e peshkimit në Evropë.
Objekti i diskutimeve ishte projekti, përpara se KRRT-ja e bashkisë të marrë në shqyrtim lejen e ndërtimit për zbatimin e tij.
Ndërmjet dy diskutimeve për rrugët lidhëse të qytetit të Durrësit me portin e peshkimit fitoi ai i pasqyruar në projekt. Sipas projektuesve, porti i peshkimit duhet të shkëputet nga porti ekzistues. Ai do të jetë port civil dhe do të lidhet me një rrugë të re, e cila do të shërbejë edhe si shëtitore.
Në këtë mënyrë është hedhur poshtë ideja e ndërtuesve privatë, të cilët kishin sugjeruar rrugët e brendshme të portit detar për këtë qëllim. Kjo ide bie në kundërshtim me atë të një porti civil të sugjeruar nga Banka Botërore vite më parë. Përfaqësues të projektit bëjnë të ditur se pritet përgjigjja nga Jedahu i Arabisë Saudite, vend ku ndodhet Banka Islamike, e cila ka dhënë kredinë për ndërtimin e portit të peshkimit. Përgjigjja ka të bëjë me miratimin ose jo nga ana e arabëve të përfundimit të fazës së parë të procedurës së tenderimit, ku janë kualifikuar 12 kompani ndërtimi. Banka Islamike ka dhënë një kredi prej 14 milionë eurosh për këtë projekt, që duhet të nisë patjetër brenda 6-mujorit të pare 2010. Kredia është ratifikuar në Parlamentin Shqiptar disa kohë më parë dhe pritet që projekti të kalojë në KRRT-në e Bashkisë së Durrësit, e cila do të rivendosë vendimit e lejes së sheshit të ndërtimit, pasi ajo që ishte miratuar 3 vjet të shkuara ka skaduar për shkak të kalimit të afateve. Porti i ri i peshkimit mund të nisë të ndërtohet në muajin maj 2010.