Presidenca spanjolle dhe aspiratat
Spanja fillon presidencën e saj të Bashkimit Evropian të premten me një pritje inaugurimi në kryeqytetin spanjoll. Presidencat gjashtëmujore, me rotacion mes shteteve të ndryshme anëtare të bashkimit, i japin rast vendeve që të vendosin prioritetet e tyre për punën e BE-së dhe të theksojnë projekte të posaçme. Korrespondenti i BBC-së për Evropën, Johny Dymond, thotë se Spanja ka plane të mëdha. Ajo shpreson të kombinojë daljen nga kriza ekonomike me një plan të freskët për nxitjen e rritjes ekonomike dhe të vendeve të punës. Kryeministri Hoze Luis Zapatero ka sugjeruar se do të angazhohet për një thellim rrënjësor të bashkimit ekonomik, për të siguruar zbatimin e reformave. Spanja do ta vërë theksin mbi barazinë, me një këmbëngulje të veçantë për të drejtat e grave dhe parandalimin e dhunës kundër grave. Vendet që aspirojnë për anëtarësim në BE si Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova, sipas analistëve, thjesht mund të presin që të avancojnë në rrugën e integrimit gjatë presidencës spanjolle.
Shpresat e njohjes
Spanja është njëra nga vendet anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Korrespondenti i BBC-së në Prishtinë, Muharrem Nitaj, thotë se disa qarqe të Prishtinës, kanë shpresuar që Spanja ta njohë Kosovën brenda mandatit të saj të kryesimit të BE-së. Por kjo është hedhur poshtë nga diplomacia spanjolle. Migel Anhel Moratinos, ministër i Jashtëm i Spanjës, ka thënë se Spanja nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por do të luajë një rol konstruktiv. Ai ka thënë se Spanja do ta ftojë Kosovën të marrë pjesë në samitin e BE-së për Ballkanin që do të mbahet në Sarajevë në muajin maj dhe në takime të tjera. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se Spanja as nuk do ta vështirësojë, as nuk do ta forcojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Ai pret që Spanja të mbajë një qëndrim neutral.