E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i kthen “lirinë” mjekut të QSUT-së

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Gjykata e Apelit vendosi të lërë në arrest shtëpie mjekun urolog Kastriot Dautaj, i akuzar për korrupsion. Kështu është rrëzuar vendimi i Shkallës së Parë, sipas të cilit mjeku i QUST-së duhet të qëndronte në qeli deri në përfundim të hetimeve. Burime nga apeli bëjnë të ditur se si motiv për të kthyer në shtëpi mjekun ka shërbyer fakti se ky i fundit nuk përbën rrezik për shoqërinë. Vendimi i gjykatës ka revoltuar prokurorin e çështjes, i cili ka pretenduar se denoncimet e bëra nga qytetarët dhe arrestimi i mjekut në kushtet e flagrancës, nuk e lejojnë atë të lerë qelinë.
Masa
Kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj mjekut urolog, Kastriot Dautaj është bërë nga avokati i tij, menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Kërkesa është shqyrtuar seancën e djeshme, ku Gjykata e Apelit në kryeqytet ka vendosur të lërë mjekun në “arrest shtëpie”. Burime nga gjykata pohojnë se është ndryshuar masa nga “arrest në burg” në atë me “arrest shtëpie”. Sipas të njëjtave burime mësohet se mjeku është lënë i lirë, pasi nuk përbën rrezik për shoqërinë.
Arrestimi
“Arrestimi i prof.dr. Kastriot Dautajt u bë, pasi u kap në flagrancë për veprat penale të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike, shpërdorim detyre dhe pastrimit të produkteve të veprës penale të parashikuara nga nenet 259 e 248 dhe 287 të Kodit Penal”, - thanë burime zyrtare të Policisë së Shtetit. Strukturat e Task-Forcës prej disa muajsh kishin nën vëzhgim mjekun e QSUT-së, të cilin më pas e ndaluan në kushtet e falgrancës nën akuzën e korrupsionit. Ndaj kirurgut ishte hapur një hetim pas denoncimit që kishte bërë një grua për heqjen e veshkës pa dijeninë e saj. Pasi ishin arkivuar më parë 6 denoncime, policia ka ndaluar në flagrancë me shumën prej 50 mijë lekësh, të cilën dyshohet se kishte marrë prej operacionit.
Sekuestrot
Menjëherë pas ndalimit të mjekut janë bllokuar të gjithë llogaritë bankare në emër të tij. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se është ndaluar çdo transaksion te llogaritë në emër të Kastriot Dautit. Ndërsa, ndarja e tyre në disa të tilla dyshohet se është kryer për të shmangur deklarimin, pohuan burimet. Kastriot Dautaj, mjek urolog në Pavijonin e Urologjisë pranë QSUT-së, e kishte deklaruar shumën si burim të ardhurash nga ushtrimi i profesionit të tij si mjek dhe si pedagog pranë Fakultetit të Mjekësisë. Por, pas verifikimeve të një tjetër llogarie rrjedhëse në të njëjtën bankë, i dyshuari Kastriot Dautaj, bashkë me bashkëshorten kishin dhe një llogari rrjedhëse në një shumë tjetër të konsiderueshme prej 365.819 dollarësh. Hetimi i kësaj çështjeje ka filluar disa muaj më parë dhe janë vërtetuar shumë raste, që kirurgu u merrte para pacientëve për çdo operacion që kryente.

Urdhri i Mjekut

Arrestimi i mjekut urolog, Kastroit Dautaj, pak ditë më parë në ambientet e QSUT-së ka sjellë dhe reagimin e Urdhrit të Mjekut në vendin tonë. Presidenti i këtij Urdhri, Dine Abazaj, bëri të ditur se mjeku Dautaj u akuzua rreth dy vjet më parë për shkelje të etikës, ndërkohë që çështja i kaloi prokurorisë për shqyrtim. Në zyrat e këtij institucioni ekziston një dosje dhe një vendim i datës 30.10.2006. Para dy vjetësh, mjeku Kastriot Dautaj operoi pacienten 53-vjeçare Zyra Ago, së cilës i hoqi një prej veshkave, sepse, sipas mjekut, ishte e infektuar dhe me një gur, por pas operacionit ka qenë pacientja që ka akuzuar mjekun për shitje të veshkës së saj. Presidenti i Urdhrit të Mjekut, nisur dhe nga ky rast, thotë se problem mbetet moskomunikimi mes mjekëve dhe pacientëve. Mjeku urolog Kastriot Dautaj, me titullin “profesor”, filloi të hetohej në muajin janar 2008.

Ky lajm është publikuar: 29/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›