Kryeministri: “Qeveria do të rrisë fondet për kërkimin shkencor”
Kryeministri Berisha mori pjesë dje paradite në konferencën rajonale me temë “Fuqizimi i kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë, nëpërmjet bashkëpunimit rajonal dhe atij pan-europian” të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim dhe UNESCO-n dhe me mbështetjen e qeverisë zvicerane. Në këtë aktivitet merrnin pjesë ministrat e Arsimit të vendeve të rajonit, drejtues të institucioneve kërkimore shkencore të vendit dhe të vendeve mike të pranishme në konferencë, drejtues të universiteteve, studiues, pedagogë etj. Duke përshëndetur konferencën, kryeministri Berisha falënderoi organizatorët, të cilët përzgjodhën Tiranën për organizmin e një konference që trajton një çështje kaq të rëndësishme siç është kërkimi shkencor dhe inovacioni. Kryeministri theksoi se reforma e thellë që ndërmori vendi ynë për të shkrirë kërkimin shkencor me mësimdhënien u bazua në parimin dhe në besimin se universitetet, auditorët, laboratorët, potencialet e tyre janë dhe mbeten shtretërit e ngrohtë kryesor, të zhvillimit, të mendimit intelektual, të mendimit shkencor. Në këtë kontekst, kryeministri shtoi se qeveria do të përpiqet dhe po përpiqet të rrisë progresivisht fondet për kërkimin shkencor, si një kusht vendimtar për suksesin e tij. Kryeministri tha se këto burime mund të dyfishohen apo të shtohen më shumë nëpërmjet kontributit të padiskutueshëm të sektorit privat. “Është e domosdoshme që ne të përpunojmë të gjithë mekanizmat ligjorë, të gjitha lehtësirat në mënyrë që sektori privat, në raport me të cilin buxhetet janë shumë të vogla, të mund të kontribuojë në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe të shkencës”, - tha Berisha. Kryeministri gjithashtu u shpreh se universitetet e vendeve mike, e vendeve partnere, janë të hapura për bashkëpunim me universitet tona. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se është e domosdoshme që drejtuesit e universiteteve, drejtuesit e institucioneve shkencore dhe katedrave të bëjnë çdo gjë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi, të bëjnë çdo gjë për përgatitjen më të mirë të kërkuesve të rinj shkencorë.
24 Maj 2010