E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i prokurorëve

Në adresë të “Spiunit” erdhi dje deklarata e Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve, e nënshkruar nga Kryetari, Pelivan Malaj dhe Sekretari i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari. Ndër të tjera, në njoftim thuhet se: “Vërehen përmirësime të ndjeshme në veprimtarinë e Prokurorisë… Shoqata ndjek me shqetësim, situatën e përgjithshme kriminale, intensitetin në rritje të veprimtarisë së krimit të organizuar… u bën thirrje prokurorëve që të tregojnë profesionalizëm, përkushtim dhe objektivitet në ushtrimin e detyrës… sidomos prokurorët që procedojnë në çështje penale të rëndësishme “Banda e Aldo Bares”, çështjen penale të Gërdecit, si dhe procedimet penale në fushën e korrupsionit”. Në fund të deklaratës, Shoqata solidarizohet me qëndrimet institucionale të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në marrëdhënie me institucionet e tjera Kushtetuese e Shtetërore, duke i konsideruar ato në përputhje të plotë me funksionin e saj ligjor dhe dënon frymën denigruese të mbajtura nga institucione e persona me pushtet e imunitet, duke kërkuar dhënien fund të këtyre praktikave që pengojnë hetimin e gjithanshëm, si dhe procedimin e barabartë dhe të drejtë të çdo autori të dyshuar për kryerjen e veprave penale.

“Spiuni” u mundua të bënte ndonjë lidhje të deklaratës së Prokurorëve me zhvillimet e ditëve të fundit, si p.sh., vendimit të Kuvendit për ta shtyrë pa afat heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, lirimit nga gjykata të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, përplasjes mes kryeprokurores Ina Rama me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaratës së Ina Ramës, se krimi në vend është rritur dhe pas akuzave të Policisë së Shtetit, se prokuroria nuk e ka ndihmuar policinë në rastet e personave të kapur në flagrancë, duke zbutur masat. Ka ndonjë lidhje?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›