E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kërkon 25 vjet burg për vrasësit e Behar Kastratit

Prokuroria ka kërkuar 25 vjet burg për dy të pandehurit e vrasjes së Behar Kastratit në Korrik të vitit 2005. Kështu është kërkuar 25 vjet burg për Qamil dhe Abedin Rexhën si dhe Ibrahim Gecin.

Dëshmia që mban në burg vëllezërit Rexhaj

Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzon të pandehurit Qamil e Abedin Rexhaj si dhe Ibrahim Gecin për vrasjen e Behar Kastratit. Mbi ta është ngritur edhe akuza e rrëmbimit dhe mbajtjen peng të personit, me pasojë vdekjen, në bashkëpunim. Sipas akuzës, motivi i vrasjes ka të bëjë me vdekjen e vëllait të Qamil e Abedin Rexhës, Gani Rexhës në vitin 1995. Ky i fundit ka vdekur si pasojë e infarktit në spitalin civil të Krumës. Si shkaktar për këtë vdekje, vëllezërit Rexhaj kanë bërë mjekun Behar Kastrati, i cili natën e vdekjes së Gani Rexhës ka qenë mjek roje, por nuk ka qenë në detyrë. Gjithmonë sipas prokurorisë, me idenë e hakmarrjes, vëllezërit Qamil e Abedin Rexhaj kanë organizuar gjithë ngjarjen e datës 7 korrik të vitit 2005, ku kanë rrëmbyer dhe më pas mbytur në ujërat e liqenit në afërsi të fshatit Kolsh, trupin e Kastratit, i cili u gjet 40-ditë pas rrëmbimit, i lidhur me gjemba në një shtyllë betoni. Procesi i gjatë gjyqësor ndodhet tashmë në një pikë delikate, ku i penduari Ibrahim Geci ka tërhequr mbrapsht gjithçka kishte thënë kundër Rexhajve, por gjykata nuk e ka pranuar si provë dëshminë e tij të re.

Olldashi, dëshmitar në gjyqin për vrasje

Pak muaj më parë, Qamil dhe Abedin Rexhaj pohuan në sallën e gjyqit se mbrëmjen e rrëmbimit të Behar Kastratit kanë qenë në shoqërinë e Sokol Olldashit, i cili po festonte në Shijak fitoren si deputet i Partisë Demokratike. Kjo alibi e vëllezërve Rexhaj i dha një kthesë të papritur procesit gjyqësor, por fjala e fundit mbetet për t'u thënë nga Olldashi. Në fakt, dëshmia e ministrit të Transporteve konsiderohet si ndër më të rëndësishmet për momentin, nëse alibia e të akuzuarve është e verifikueshme prej tij. Kjo për faktin se Olldashi ka qenë ministër i Brendshëm, në kohën që është kryer arrestimi i vëllezërve Rexhaj dhe nëse alibia e tyre qëndron, atëherë Olldashi ka lejuar arrestimin, duke e ditur se ata nuk kishin gisht në rrëmbimin dhe vrasjen e ish-kreut të PD-së së Hasit.

SKEDAT

Emri: Qamil

Mbiemri: Rexhaj

Viti lindjes: 22. 12. 1957

Vendi i lindjes: Golaj, Has

Vendbanimi: Katund i ri, Durrës

Arsimimi: I Mesëm

Gjendja Civile: I martuar, me dy fëmijë, i papunë

I dënuar me vdekje në vitin 1983-'87,

për atentat mbi ish-presidentin Ramiz Alia

Emri: Abedin

Mbiemri: Rexhaj

Viti lindjes: 12. 9. 1963

Vendi i lindjes: Shpordhet Krujë

Vendbanimi: Katund i ri, Durrës

Arsimimi: I Mesëm

Gjendja Civile: I martuar, me katër fëmijë

Profesioni: Roje pranë fshatit Katund i Ri

I dënuar me vdekje në vitin 1983-'87,

për atentat mbi ish-presidentin Ramiz Alia

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›