4 TEC-e apo 4 HEC-e...?
“Importet e dritave na lënë pa termocentrale”? apo “Termocentralet na lënë pa import dritash”? Mendoj, kjo e dyta. Dhe ja pse. Të ndërtosh termocentrale duhet të kesh lëndën e parë sa më të lirë, që nënkupton, së pari, sa më afër. Shqipëria nuk e ka lëndën e parë për termocentralet (ose më saktë, ka naftë sa për të vënë në punë Termocentralin e Fierit). Shqipëria nuk zotëron as ndonjë avantazh në teknologjinë e ndërtimit të termocentraleve, gjë që mund të mbulonte kostot e larta të importit të lëndës së parë.
Por ja që qeveritarët tanë po duan të ndërtojnë TEC-e në Shqipëri. Dhe për të realizuar këtë çmenduri, na kanë lënë pa import dritash. Pra, ne kemi pasur kriza të energjisë elektrike se nuk kemi pasur mundësi të importojmë. Ja le ta gjejmë, pse nuk është ndërtuar më parë linja e Interkonjeksionit me Malin e Zi, vetëm 100 milionë USD kushton?
Për ta ndihmuar cilindo që kërkon përgjigjen e kësaj, i themi se, që shqiptarët të pranojnë TEC-et duhet të vuajnë ca, që ta kuptojnë rëndësinë e tyre. Dhe ky ka qenë e vazhdon të jetë skenari. Por le të merremi pak me variantin “skup” që thotë se me paratë që kemi importuar energji elektrike për 10 vjet, prej 450 milionë euro, mund të kishim ndërtuar 4 termocentrale. Por ka një pyetje të “vogël” në këtë mes. Këto termocentrale do punojnë me naftë apo me ujë? Nëse do punojnë me naftë, duhet të shohim pak se sa është çmimi i naftës.
Sot është afro 140 USD për fuçi. Kur ndaluesit e importit të energjisë projektuan TEC-in e Vlorës dhe bashkë me të krizat e njëpasnjëshme, për shqiptarët, çmimi i naftës ishte 20 USD për fuçi, pra tani është 7 herë më shtrenjtë. Dhe fitorja e madhe që po amplifikohet qëllimisht këto ditë me fillimin e punimeve të TEC-it të Vlorës në Maj të vitit tjetër është veçse frika e madhe e disfatës së plotë. TEC-i i Vlorës (nëse do lejohet të mbarojë) do punojë vetëm ditën e inaugurimit nga Berisha (që ka të ngjarë t’ia lërë Rulit) e Bojaxhiu, e më pas do mbetet si monument i kohës së filozofisë së fosilizimit të Shqipërisë. Ja pse:
Në llogaritë për TEC të Vlorës, karburanti i llogaritur që përdoret çdo vit kap vlerën 35.6 milionë USD nga 68.5 milionë që është kostoja totale vjetore dhe shitja vjetore e energjisë parashikohet 100.4 milionë USD. (e gjen dhe në internet, Report No:27049 -Alb for official use only).
Këto janë shifrat zyrtare me çmimet e vitit 2002. Kurse tani, vetëm kostoja e karburantit i bie të jetë ekzaktësisht 249.2 milionë USD në vit. Por ata që kanë vjedhur (vjedhës në nivele të larta) me aferën e TEC-it, tani po bërtasin të rritet çmimi i shitjes së energjisë. Dhe në fakt, po të rriten 3 herë çmimi i energjisë për konsumatorët, TEC-i dhe TEC-et dalin me fitim.
Për pak harruam “ujin”. Po sikur vërtetë të përdorim ujin që Shqipëria e ka me bollëk e në vend të TEC, ta themi, HEC a nuk do ishte më mirë? Po, po! Po të themi 4 HEC-e në vend të 4 TEC-ve, do të ishim tepër të saktë. Dhe Shqipëria do eksportonte energji me bollëk, e, natyrisht, edhe do importonte si çdo vend tjetër.