Apeli lë në burg pesë trafikantët
TIRANE – Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda lë në “arrest me burg” pesë të arrestuarit në Shqipëri të operacionit “Lindja e Diellit”. Vendimi i marrë pak ditë më parë nga togat e zeza të apelit la në qeli deri në përfundim të hetimeve të akuzuarit Marenglen Hallka, Fatbardh Kapllanaj, Pilo Zanaj, Daniel Likaj dhe Artur Demaj. Burime pranë seancës pohuan se të pandehurit munguan në seancë dhe se interesat e tyre u përfaqësuan nga avokatët mbrojtës. Sipas burimeve, avokatët pretenduan pafajësi për klientët dhe kërkuan për ta masë sigurie më të lehtë se ajo e “arrestit me burg”. Në vendimin e saj gjykata la në fuqi masën e caktuar për të pandehurit në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda, “arrestin me burg” pa afat. Të pandehurit Hallka, Kapllanaj, Zanaj, Likaj dhe Demaj u arrestuan në 19 shkurt të këtij viti, në bazë të urdhër arresteve të nxjerra nga Gjykata për Krimet e Rënda në mungesë të tyre. Emrat e tyre ishin “nënvizuar” nga organizimi i një operacioni policor të kryer njëkohësisht në katër shtete Shqipëri, Itali, Belgjikë dhe Greqi. Sipas policisë, të arrestuarit e operacionit, dyshohet se gjatë viteve 2005-2007 kanë kryer trafik të lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë, kryesisht me gomone. Mësohet se konfiskimi i parë është bërë në mars 2005 në kanalin e Otrantos, ku nga kapja e një gomoneje u sekuestruan 274 kilogramë marijuanë. Ndërkohë që në vijim nga autoritetet policore italiane janë sekuestruar sasi të tjera të konsiderueshme lënde narkotike, por edhe armësh dhe municione. ar.ba