Kontrabanda, gjykata liron dy doganierët e arrestuar në Rinas
TIRANE – Gjykata e Tiranës liroi dje nga prangat dy doganierët e Rinasit, të arrestuar tre ditë më parë për akuzën e kontrabandës. Të njëjtin fat patën edhe dy tregtarët dhe shoferi i njërit prej tyre, të arrestuar nga i njëjti operacion policor. Për doganierët Basri Toçilla e Gjin Dedndreaj, tregtarët Renato Sinoimeri e Astrit Sela dhe Shkëlzen Hasani Gjykata e Tiranës caktoi dje masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Në seancën e caktimit të masës së sigurisë doganierët mohuan të kishin njohje tregtarët e pandehur dhe aq më pak të ishin të përfshirë në skema kontrabande të mallrave. Kryerja e kontrabandës u mohua edhe nga tregtarët, ndërsa u pranua se ditën e arrestit, nuk kishin paguar taksa. Pesë të dyshuarit për kontrabandë u arrestuan të enjten nga operacioni policor i koduar “Rinasi 1”. Dy doganierët, dy tregtarët dhe shoferi i njërit prej tyre u paraqitën dje në Gjykatën e Tiranës për caktimin e masës së sigurisë. Burime pranë seancës sqaruan se të gjithë të pandehurit pretenduan pafajësi. “Jemi të pafajshëm”, mësohet të jenë shprehur para togave të zeza doganierët Basri Toçilla dhe Gjin Dedndreaj. Në vijim ata janë shprehur se nuk kishin njohje me të pandehurit e tjerë. Sipas burimeve, i pandehuri Astrit Sela ka pranuar para gjykatës që për mallin e sjellë nga Turqia të mërkurën nuk kishte paguar taksën doganore. “Ashtu e mendova për momentin”, mësohet të jetë shprehur ai për gjykatën. Por Sela ka mohuar kategorikisht të ketë lidhje, apo ndërmjetësime me doganierët e arrestuar. Nga çdo përgjegjësi e jashtëligjshme e ka përjashtuar veten edhe i pandehuri Renato Sinoimeri. Referuar burimeve, ai ka pohuar se shoqëronte vjehrrin e tij, Sela, gjatë udhëtimeve, por nuk kishte lidhje me akuzat për të cilat u ndalua. Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjykata pranoi dje kërkesën e përfaqësuesit të akuzës për lënien e të pandehurve në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Dy doganierët u arrestuan të enjten pas evidentimit se gjatë kalimit në aeroportin e Rinasit tregtarët Sela dhe Sinoimeri nuk kishin paguar taksë. Tregtarët u ndaluan në kilometrin 6 të segmentit Tirane-Durrës, pak pasi ishin larguar nga Rinasi. Pas kontrollit, policia vuri re se malli, veshje, nuk kishte dokumentacion shoqërimi. ar.ba
Te pandehurit
- Basri Toçilla
- Gjin Dedndreaj
- Renato Sinoimeri
- Astrit Sela
- Shkëlzen Hasani