E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli lë në burg shefin e urbanistikës

SHKODER - Gjykata e Apelit në Shkodër lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke mbajtur në qeli ish-shefin e urbanistikës së Komunës së Velipojës, Lekë Marku. 

Ai u arrestua më 30 qershor 2008, teksa në një lokal në qendër të qytetit në Shkodër u kap në flagrancë me shumën prej 25 mijë lekësh. Paratë ai ia kishte marrë një personi në këmbim të dhënies së lejes për vendosjen e një kioske provizore në plazhin e Velipojës, për këtë sezon turistik. Pas arrestimit, shefi i urbanistikës e cilësoi gjithçka si një inskenim të policisë, duke mos pranuar akuzën e ngritur ndaj tij për shpërdorim të detyrës. Në seancën e djeshme, akuza i kërkoi trupit gjykues të lërë në burg Markun, duke argumentuar me faktin që në momentin e ndalimit, i dyshuari ka qenë duke kryer një vepër penale dhe rrjedhimisht ndalimi i tij konsiderohet i ligjshëm. Mbrojtja kërkoi një masë më të lehtë, ndërsa këmbëngul ashtu sikurse edhe në seancën e zhvilluar në Shkallën e Parë se klienti është i pafajshëm. Avokati argumentoi se personi që i ka dhënë paratë shefit të urbanistikës ka bashkëpunuar me policinë, duke inskenuar gjithë situatën. Sipas tij, ai i ka lënë paratë pa dëshirën e Markut dhe në moment është larguar, duke i lënë hapësirë policisë që të ndërhynte dhe ta arrestonte atë në kushtet e flagrancës bashkë me shumën e parave. Lekë Marku, inxhinier pranë zyrës së urbanistikës së Komunës Velipojë dhe nipi i kryetarit të kësaj komune Nikollë Marku, do të vazhdojë të qëndrojë në burg, pasi Apeli vendosi lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë për caktimin si masë sigurie atë të arrestit me burg.                                                  r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›