Karaxhiç: “Nuk ha ushqim deri sa të vendoset për ekstradimin”
Nuk ka pranuar të hajë asgjë deri në momentin kur Gjykata e Apelit në Serbi të japë vendimin për ekstradimin e tij në Gjykatën e Hagës. Radovan Karaxhiç i arrestuar falë një operacioni të forcave elitë serbe të cilat pasi e kanë arrestuar e kanë mbajtur katër orë në pyetje Karaxhiçin, i cili nga ana e tij ka rezervuar një pamje prej murgu. Ljiljana Zelen-Karaxhiç, gruaja e ish-liderit të serbëve të Bosnjës shprehet e tronditur rreth lajmit se bashkëshorti i saj ishte arrestuar. Nga deklarata e saj u mësua se ajo nuk ka patur asnjë njoftim për të shoqin me vite me radhë. "Në çastin kur ra telefoni, e kuptova se diçka nuk ishte në rregull. Jam e tronditur dhe e hutuar. Por, të paktën e dimë se është gjallë", deklaroi ajo për median. Kurse vëllai i Radovan Karaxhiçit, Luka deklaroi për gazetarët përballë ndërtesës së Gjykatës Speciale se kishte mësuar për arrestimin e tij nga media dhe se nuk kishte asnjë informacion lidhur me vëllanë e tij, Radovan, përveç faktit se ishte mbajtur izoluar për katër orë e që sipas të vëllait ishte një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.
Arrestimi
Një mandat arresti për Karaxhic është lëshuar nga Haga prej më shumë e një dekade. Ai kishte filluar qe atëhere jetën e klandestinit i ndihmuar nga një rrjet i fuqishëm besnikësh. I rrethuar nga truproja të shumta, ai ka përfituar gjithashtu edhe nga mbrojtja policore dhe sipas zërave, ka gjetur në shumë raste strehë në manastiret ortodokse serbe.
Legjenda e tij si i pakapshëm vetëm sa rritej pas operacioneve të dështuara të NATO-s për ta arrestuar, ndërsa Departamenti i Shtetit kishte premtuar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për çdo informacion që mund të çonte në arrestimin e tij.
Karaxhiç
I lindur në Mal të Zi më 1945, aktualisht 63 vjec. Ka qenë poet dhe psikiatër, dhe ish politikan serb. Në 1989 Karaxhic ishte bashkëthemelues i Partisë Demokratike serbe në Bosnje Hercegovinë që kishte si qëllim të mblidhte komunitetin e serbëve të Bosnjes dhe të bashkëpunte me serbët kroatë për ti lënë ato pjesë të Jugosllavisë në prag të ndarjes së këtyre dy republikave nga federata. Në kuadrin e kësaj beteje, Karaxhcic është konsideruar si arkitekti dhe drejtuesi i gjithë masakrave të serbëve gjatë luftës së Bosnjes ‘92-‘95. Ai ka autorizuar direkt vrasjet e civileve gjatë pushtimit 43 mujor të Sarajevës. Ka rol kryesor në drejtimin dhe orkestrimin e masakrës më të madhe në Europë pas luftës së Bosnjes, pikërisht në masakren e Srebrenicës ku u vranë 8000 burra e djem myslimanë. Atëkohë forcat serbe të Mlladiçit pushtuan zonën e sigurt ku ndodheshin dhe forcat paqeruajtëse të OKB-së, pikërisht qytetin e Srebrenicës në lindje të Bosnjes. Ata i vranë gjithë burrat dhe djemtë që ishin strehuar aty, plot 8000 vetë. 15 akuza rëndojnë mbi Radovan Karaxchiç, për genocide, krime lufte dhe krime kundër njrëzimit. Ai do përgjigjet në Hagë për vdekjet e 12 mijë civilëve gjatë luftës së Sarajevës. Ai gjithashtu akuzohet se ka patur në shenjester lideret politike kroatë e myslimanë, intelektualë dhe profesionistë. Ka deportuar dhe transferuar civilë për shkak të identitetit të tyre kombëtar e fetar. Ka shkatërruër shtëpi biznese dhe vende të shenjta. Ricard Hollbruk, ish- ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Europën që negocioi marrëveshjen e paqes së Dejtonit, e quajti, Karaxhiçin si Bin Ladenin e Europës, një arkitekt të vërtetë të vrasjeve në masë.
BE: Arrestimi e a afron më shumë serbinë me Evropën
Bashkimi Europian, një ndër zërat që i ka bërë thirrje më shumë së njeherë Serbisë për kapjen e Radovan Karaxhiç, e përshëndeti arrestimin e ish-shefit politik të serbëve të Bosnjës. "Bashkimi Evropian shpreh kënaqësinë për arrestimin e Radovan Karaxhiçit i paditur për gjenocid, për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte", nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (TPI), njoftoi presidenca franceze e BE-së në një komunikatë. "Ky zhvillim ilustron angazhimin e qeverisë së re të Beogradit për të kontribuuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Ai përbën një etapë të rëndësishme në rrugën e afrimit të Serbisë me Bashkimin Evropian", shtoi ajo.
Serbia nënshkroi në fund të prillit marrëveshjen e stabilizim-asociimit me BE-në, si hapi i parë drejt integrimit me kohë në bllokun evropian, por teksti mbetet për momentin pa efekt. Ai do të hyjë në fuqi vetëm nëse Beogradi "bashkëpunon plotësisht" me TPI-në.
BE-ja këmbëngul veçanërisht për këtë bashkëpunim të plotë, që ka të bëjë me arrestimin e ish-shefit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç, i paditur edhe ai për genocid.
Arrestimi, protesta në Beograd “shampanjë’ në Sarajevë
Rrugët e Sarajevës u mbushën dje në mëngjes me turma nga myslimanët e Bosnjës të cilët këndonin dhe brohorisnin teksa kremtonin arrestimin e Radovan Karaxhic.
Lajmi për arrestimin e ish liderit të serbëve të Bosnjes u përhap menjëherë mbrëmë në kryeqytetin e Bosnjes. Kremtime të njëjta po bëhen edhe në qytetet tjera të vendit. Karaxhiç do të ballafaqohet me 15 akuza për krime lufte, përfshirë: gjenocidin, vrasjet dhe aktet jonjerëzore të kryera gjatë luftës në Bosnje, në vitet 1992-1995. Ai kërkohej nga drejtësia ndërkombëtare sidomos sepse bashkë me gjeneralin Ratko Mlladiç, ish-shef ushtarak i serbëve të Bosnjës, nxiti gjenocidin në Srebrenicë (në lindje të Bosnjës), ku në korrik 1995 u eliminuan rreth 8.000 burra muslimanë, e cilësuar kjo si masakra më e keqe në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Nga ana tjetër policia serbe ka ndërhyrë dje pasdite në sheshin qendror të Beogradit për të shpërndarë një protestë e organizuar nga nacionalistë serbë që kundërshtojnë arrestimin e ish liderit serbo boshnjak Radovan Karaxhic. Në protestë merrnin pjesë qindra militantë të lëvizjes ultranacionaliste ekstraparlamentare të Obraz. Situata është tensionuar kur policia është afruar me forcë drejt turmës të cilët i janë kundërvënë duke i hedhur kapsolla dhe karrige në drejtim të policisë policisë të cilët nuk i janë kundërpërgjigjur. Madje protestuesit i janë drejtuar policëve me fjalë fyese duke i quajtur “tradhtarë”, si dhe duke e quajtur Karaxhic si një hero. Gjithashtu protestuesit kanë hedhur slogan kundër qeverisë së re evropiane serbe besnike e presidentit Tadiç. Në më pak se gjysëm orë forcat e rendit kanë arritur të marrin situatën në dorë duke shpërndarë demonstruesit në grupe të vogla dhe duke arritur më pas ta shpërndajnë komplet atë. Për momentin ka disa të ndaluar por asnjë të plagosur.
NATO: Tani lani hesapet dhe me Mlladiç-in
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer përshëndeti sot arrestimin e ish-shefit politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç si një akt 'të rëndësishëm" bashkëpunimi të Serbisë me TPI-në, por duke e inkurajuar të bëjë të njëjtën gjë me Ratko Mlladiçin.Në një komunikatë, ai "përgëzonte autoritetet serbe për këtë akt të rëndësishëm bashkëpunimi me TPI-në". "Unë uroj që Karaxhiç të ekstradohet së shpejti në Hagë për t'u gjykuar atje", shtoi ai. "Një e ardhme e begatë dhe e qëndrueshme për Ballkanin perëndimor mund të mbështetet vetëm tek drejtësia dhe pajtimi. Prandaj e inkurajoj Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ndaluar kriminelët e luftës ende të paditur dhe në arrati, përfshi Ratko Mlladiçin, ish-shefin ushtarak të serbëve të Bosnjës”, shtoi Scheffer.
23 Korrik 2008